Peruja zhytet në krizë politike
Peruja është zhytur në krizë politike pasi presidenti, Martin Vizcarra e ka shpërndarë Kongresin.
Ligjvënësit e opozitës, të cilët janë shumicë në Kongres, thanë se shpërndarja paraqet një grusht shteti.
Ata e pezulluan presidentin Vizcarra dhe votuan që zëvendës-presidenti, Mercedes Araoz, të jetë president në detyrë.
Ndërkohë, Vizcarra dekretoi mbajtjen e zgjedhjeve të reja më 26 janar.
Krerët e forcave të armatosura dhe policia e kanë mbështetur Vizcarran, duke thënë se ata e njohin atë si president kushtetues dhe komandant i përgjithshëm.
Zyra e shtypit e presidencës gjithashtu publikoi një fotografi ku komandantët e ushtrisë, marinës, forcave ajrore dhe policisë morën pjesë në një takim të kryesuar nga Vizcarra në pallatin presidencial në Lima.
Mijëra njerëz u mblodhën gjithashtu jashtë ndërtesës së Kongresit për të treguar mbështetjen e tyre për të.
Por, ligjvënësit e opozitës thanë që Vizcarra tejkaloi fuqitë e tij kur e shpërndau Kongresin e zgjedhur në mënyrë demokratike.
Ata kënduan himnin kombëtar dhe nuk pranuan të largohen nga Kongresi ndërsa premtuan besnikërinë e tyre ndaj zëvendës-presidentit Araoz.
Fraksion.com