“Integrimi”; Balla: Procesi i të gjitha partive; Hajdari: Kriteret, përgjegjësi edhe atyre jashtë parlamentit
Kreu i grupit parlamentar të PS-së Taulant Balla ka folur në komisionin parlamentar të integrimit për vendimin e Gjermanisë pro çeljes së negociatave të BE-së me Shqipërinë. Balla tha se mbështetja e Gjermanisë është konfirmim i rrugës europiane të Shqipërisë dhe punës së Kuvendit me reformat e rëndësishme.
“Rishpreh në emër të grupit të PS mirënjohjen për qeverinë gjermane që mbështet nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Mbështetja e Gjermanisë është konfirmim i rrugës europiane të Shqipërisë dhe punës së kuvendit në jetësimin e reformave të rëndësishme, ku reforma më e madhe është ajo në sistemin e drejtësisë.
Ngritja e institucioneve të drejtësisë është në rrugë të mbarë. Të gjitha partitë duhet të marrin përgjegjësitë në këtë proces. Kushdo që u mundua të pengojë reformën në drejtësi mori përgjigje të qartë, kushdo që u mundua të pengonte zgjedhjet lokale mori përgjigjen e duhur”, deklaroi Balla.
Ndërkohë deputetja Rudina Hajdari tha se është përgjegjësi e të gjithëve të punojnë për të plotësuar kriteret e vendosura.
“Ne duhet të jemi të përgatitur për të plotësuar të gjitha kriteret. Vendimi i Bundestagut duhet përshëndetur. Kemi ende vende skeptike. Duhet të marrim gjërat hap pas hapi e të shohim me qartësi se çfarë kushtesh na ka lënë Bundestagu. Është përgjegjësi e të gjithëve, edhe atyre që kanë dalë jashtë parlamentit”, tha Hajdari.
Fraksion.com