AktualitetPolitikëTë fundit

Ambasadori gjerman: Shqipëria në BE pa kushte të reja; Kriza të zgjidhet nga brenda

Bundestagu gjerman dha PO-në për hapjen e negociatave me Shqipërinë, deklaroi sot ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf.

Duke folur në konferencën e prezantimit të programit të Tetorit Gjerman 2019, Zingraf u shpreh se “Bundestagu dha një “PO” për Shqipërinë. Ne po presim vendimin që duhet të marrin shtetet e tjera”.

Përsa i përket 9 kushteve, Zinmgraf tha se, disa janë në fazën e parë dhe disa janë në fazë më të avancuar.

Zingraf tha se kushtet ishin të artikuluara edhe më parë dhe nuk ka asnjë kusht të ri, ndërsa theksoi se disa prej tyre mund të plotësohen edhe pas hapjes së negociatave.

“Debati në Bundestag ishte i thellë dhe serioz, kjo ashtu siç është shprehur dhe një gazetar gjerman është një dëshmi që Shqipëria do të pranohet në BE. Në të vërtetë Bundestagu ka formuluar disa kushte që duhet të plotësohen në një hap të parë dhe më pas në një fazë të dytë duhet të plotësohen kushtet e tjera. Është e rëndësishme që të theksojmë tani po pritet se çfarë vendimi do të marrin dhe vendet e tjera të BE. Kushtet që u formuluan ishin artikuluar prej kohësh para këtij vendimi”, u shpreh Zingraf.

“Bundestagu luan rol të fuqishëm dhe qeverisë federale i nevojitet konfirmimi i tij”, shtoi ambasadori.

Ambasadori i Gjermanisë në Tiranë, Peter Zingraf tha se kushtet e vendosura për Shqipërinë duhet të plotësohen, në mënyrë që e ardhmja e vendit të jetë në Bashkimin Europian. Ai shtoi se, “reformat e ndërmarra duhet të shkojnë më thellë”.

Gjithashtu ambasadori gjerman tha se konfliktet në politikën shqiptare duhet të zgjidhen nga vetë partitë politike.

“Jam i bindur që zgjidhja për konfliktet politike duhet të vijë nga vetë politika. Nuk e shikoj Gjermaninë si një lloj ndërmjetësi. Kemi folur me përfaqësues të partive politike, kemi ofruar mbështetjen tonë teknike, edhe për reformën zgjedhore”, tha ai.

Ambasadori Zingraf, e konsideroi tryezën për reformën zgjedhore të pak ditëve më parë, si një sinjal pozitiv.

“Të gjitha partitë të ulen bashkë. Kemi folur me palët dhe kemi dhënë mbështetjen teknike dhe në kuadër të komisionit të reformës zgjedhore. Një ekspert gjerman ka bashkëpunuar duke vendosur në tavolinë një draft mbi të cilin mund të vazhdohet të punohet.”, tha Zingraf.

 

Fraksion.com