AktualitetBota+Të fundit

Afganistani, mesazh talibanëve: Paqe ose vazhdojmë luftën

Këshilltari për siguri kombëtare i Afganistanit, Hamdullah Mohib, lëshoi një mesazh për militantët talibanë, duke iu thënë se qeveria nuk do të zmbrapset nga lufta me ta.

“Bashkohuni me ne në paqe, ose ne do të vazhdojmë të luftojmë. Kjo është një luftë që ne mund ta fitojmë”, tha Mohib, duke folur para Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Në mesazhin e tij për popullin afgan, ai tha se “paqja është synimi ynë i përbashkët” dhe se “terroristët janë armiku ynë i përbashkët”.

Mohib e mbajti fjalimin pas zgjedhjeve presidenciale në Afganistan, të cilat u zhvilluan më 28 shtator.

Ai tha se shumë njerëz u privuan nga e drejta e tyre për të votuar, sepse vendi përballet me probleme në sigurimin e vendvotimeve, përballë talibanëve.

Këta të fundit kontrollojnë ose ushtrojnë ndikim mbi gjysmën e Afganistanit.

Lufta në këtë vend ka nisur në vitin 2001, me një ndërhyrje të forcave amerikane, të cilat kanë përmbysur regjimin taliban.

Paqja duket e largët, sidomos që nga tërheqja, javë më parë, e Shteteve të Bashkuara nga një proces i bisedimeve me talibanët, qëllim kryesor i të cilave ka qenë nënshkrimi i armëpushimit.

Megjithatë, Mohib i falënderoi përkrahësit perëndimorë të Afganistanit, “veçanërisht vendet anëtare të NATO-s”.

 

Fraksion.com