PD: Bashkia e Tiranës shpenzoi para për udhëtimin në Barcelonë
Partia Demokratike ka akuzuar kreun e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, se ka mashtruar për paratë e udhëtimit në Barcelonë. Dhurata Çupi, në një deklaratë për shtyp, deklaron se, 2 ditë në Barcelonë iu kushtuan 9 milionë lekë taksapaguesve shqiptarë.
“Nën drejtimin e Erion Veliajt, bashkia e Tiranës është shndërruar në shërbëtore të oligarkëve, kundër interesit publik. Bashkë me ta, ajo grabit çdo pasuri të qytetit, zhduk lulishtet e gjelbëruara për të ngritur përbindëshat e betonit. Bashkë me ta dhe për ta, shpërdoron miliona euro nga taksat që Erion Veliaj ka rritur për familjet dhe bizneset e Tiranës. Përfitimi nga grabitja e përbashkët e kryeqytetit është konkretizuar shumë qartë për qytetarët e e Tiranës në rastin e kompanisë Fusha, pronari i të cilës i ka paguar nënkryetarit të Bashkisë me kartën e vet të kreditit 907 euro natën në një hotel në Barcelonë,” shprehet Çupi.
Kryebashkiaku Veliaj, sipas PD, gënjeu kur deklaroi për Zërin e Amerikës se “nuk ka shpenzuar fonde të Bashkisë për udhëtimin në Barcelonë.”
“Dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik provon se Bashkia e Tiranës ka shpenzuar mbi 9 milionë lekë për udhëtimin në Barcelonë, ku ka marrë pjesë jo vetëm nënkryetari në hetim i Bashkisë së Tiranës, por edhe Kryetari Erion Veliaj. Dokumenti i Agjencisë së Prokurimit Publik është një provë e mashtrimit flagrant që Erion Veliaj u ka bërë qytetarëve të Tiranës, duke i gënjyer ata dhe median për udhëtimin luksoz dyditor në Barcelonë”, u shpreh më tej Çupi.
Fraksion.com