AktualitetTë fundit

EANA: Google po abuzon me kontrollin mbi motorët e tij të kërkimit në Francë

Google po abuzon me kontrollin mbi motorët e tij të kërkimit në Francë, njoftoi sot Aleanca e Agjencive Europiane të Lajmeve, EANA, ku Agjencia Telegrafike Shqiptare është anëtare me të drejta të plota.

”Franca, vendi i parë që miratoi rregulla kombëtare në zbatim të  direktivës europiane të të drejtave të autorit, po përballet me një konflikt mes Google dhe medieve kombëtare dixhitale. Përshtypja që krijohet nga situata në Francë është se Google po përpiqet të krijojë një precedent duke i detyruar botuesit e lajmeve në  Francë  të ofrojnë përmbajtjen e informacionit falas, në mënyrë që të shmangin pagesat e drejta për botuesit, duke ndikuar kështu në të ardhurat dhe pavarësinë e tyre”, thotë EANA.

”EANA beson në trajtimin e drejtë ekonomik të punës gazetareske e përcaktuar në  Direktivën e re e të Drejtave të Autorit me qëllim promovimin e gazetarisë cilësore. Prandaj, EANA mbështet fuqimisht qëndrimin e botuesve francezë dhe europianë kundër planeve të Google për t’i vendosur botuesit nën presion.

Parlamenti Europian ka miratuar Direktivën e të Drejtave të Autorit, e cila garanton akses në lajme cilësore për publikun dhe pagesë  për botuesit e lajmeve dhe agjencitë kur përmbajtja e tyre përdoret në internet.

EANA beson fuqimisht se konsumatorët europianë të medias kanë të drejtë të aksesojnë  gazetari të shumëllojshme  dhe me cilësi të lartë. Agjencitë europiane të lajmeve si iniciatore të konferencës botërore të  lajmeve ngrenë zërin e tyre për të mbrojtur një industri mediatike e cila është në gjendje të përmbushë këtë kërkesë parësore të shoqërive demokratike.

Në këndvështrimin e EANA-s, nëse Google vepron në  përputhje me direktivën europiane të të drejtave të autorit, atëherë  do të krijohet një situatë e favorshme për të gjitha palët e përfshira, publiku, media dhe vetë Google”, përfundon njoftimi për shtyp i EANA-s, nënshkruar nga Peter Kropsch, president i EANA-s dhe drejtor i përgjithshëm i agjencisë gjermane të lajmeve, DPA, Armela Krasniqi, anëtare bordi dhe drejtoreshë e përgjithshme e ATSH-së, Clive Marshall, anëtar bordi dhe drejtor i përgjithshëm i PA Media, Jiri Majstr, anëtar bordi dhe drejtor i përgjithshëm i agjencisë çeke të lajmeve, CTK dhe Alexandru Giboi, sekretar i përgjithshëm i EANA-s./ata

 

Fraksion.com