BE-ja refuzon të drejtojë komisionin për reformën zgjedhore
Pas OSBE-së edhe BE-ja ka dalë kundër propozimit të PD-së për krijimin e një strukture të posaçme me praninë e ndërkombëtarëve në punën për reformën e re zgjedhore në Shqipëri.
Brukseli shprehet kundër drejtimit të komisionit për reformën zgjedhore. Zëdhënësja e Bashkimit Europian, Maja Kociajancic tha për A2 se kjo nuk është një çështje që i takon BE dhe apelon për dialog mes palëve.
“Nuk i takon Bashkimit Europian që të përcaktojë ose të bëjë komente mbi strukturën që duhet të përdoret për të lehtësuar konsultimet dhe më tej reformën zgjedhore.
BE rithekson nevojën që të gjithë aktorët politikë të demonstrojnë gatishmëri të vërtetë për të kontribuar, përmes dialogut konstruktiv dhe të avancojnë punën për reformën zgjedhore”, tha ajo.
Partia Demokratike propozoi në tryezën e organizuar nga OSBE-ja në datë 25 shtator që reformën zgjedhore ta bëjnë ndërkombëtarët, SHBA, BE dhe OSBE përmes një strukture të posaçme.
Por, propozimi i PD-së u kundërshtua nga ambasadori i OSBE-së. “Nuk e qeverisim ne Shqipërinë” tha ai duke kërkuar që reforma të miratohet nga vetë shqiptarët. Edhe Rama i tha jo propozimit të demokratëve për të kaluar reformën zgjedhore në duart e një strukture të posaçme drejtuar nga ndërkombëtarët.
“Një strukturë ndërkombëtare, ndërmjetës ndërkombëtarë dhe përkthyes në gjuhë të huaj për t’u marrë vesh mes shqiptarëve, unë nuk ka për të pranuar asnjëherë”, tha Rama.
Reforma zgjedhore do të ndahet në dy faza, sqaroi kryeministri. Fillimisht miratimi i rekomandimeve të ODIHR e më pas kalimi te çështjet e nxehta si sistemi, administrimi zgjedhor apo dhe votat e emigrantëve.
“T’i japim kohë vetës që të diskutojmë për të gjitha aspektet e tjera dhe të dëgjojmë me respekt të gjitha kontributet, të gjitha idetë. Ne jemi partia e shumicës. Kemi edhe ne idetë tona”.
Fraksion.com