Opinioni i Venecias për Metën, Hysi: Tri hallkat që vendosin për shkelje të rëndë
“Janë tri hallka që vendosin nëse Presidenti i Republikës ka kryer shkelje të rëndë. Hallka e parë, është komisioni hetimor parlamentar, komision ky i cili pavarësisht se përbëhet nga deputetë që përfaqësojnë partitë politike ka kompetenca të mirëfillta ligjore. Hallka e dytë, që është hallkë politike është seanca plenare e cila voton ose nuk e voton raportin që çon Komisioni Hetimor parlamentar dhe e treta, Gjykata Kushtetuese. Komisioni Hetimor parlamentar dhe Gjykata Kushtetuese trajtojnë aspekte ligjore, pra nuk japin asnjë koment politik. Ndërsa vendimi që merret në seancën plenare padyshim shpreh një vullnet politik, sepse po nuk u morën 94 vota, pra nuk shprehet vullneti për raportin i cili ende nuk ka dalë, raporti i komisionit hetimor”, – shprehet gjatë një interviste televizive zv.kryetarja e Kuvendit dhe anëtare e Komisionit Hetimor për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, Vasilika Hysi.
Hysi tha se, “ne si anëtarë të komisionit hetimor ende nuk jemi shprehur nëse veprimet e Presidentit përbëjnë shkelje të rëndë apo jo të Kushtetutës dhe nuk kemi bërë ende sugjerimin për seancën plenare”.
“Raporti i Venecias që ka mbërritur dje është një raport konfidencial. Ky raport i shkon palëve të interesuara, i vjen Kuvendit të Shqipërisë meqë kërkesën e ka bërë Kryetari i Kuvendit, i shkon Presidentit të Republikës dhe institucioneve të tjera”, – shprehet Hysi.
Hysi thekson se, “nëse shihni në kërkesën që ka shtruar Kryetari i Kuvendit, nuk kërkohet nëse është fajtor apo jo Presidenti i Republikës, por ka shtruar pyetje që lidhen me kushtetutshmërinë, me kompetencat që ka Presidenti i Republikës. Nëse i lejohet me Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor të marrë një dekret që anulon zgjedhjet, dhe e dyta, nëse anulimi i datës së zgjedhjeve është shkelje e të drejtës së zgjedhësve për të votuar”.
Hysi tha më tej se, bazuar në këtë opinion të Komisionit të Venecias, do të jetë Komisioni Hetimor parlamentar, që do të vendosë nëse Kreu i Shtetit ka shkelur apo jo Kushtetutën.
“Përderisa thuhet që nuk e ka këtë kompentencë, ka shkelje. Vendimin ne do ta marrim në Komision, unë nuk mund të prononcohem jashtë Komisionit”, – theksoi Hysi mbi raportin konfidencial të Komisionit të Venecias, ndërsa u ndal edhe në zgjatjen e afatit të Komisionit Hetimor dhe për procedurën se si do të vijohet më tej.
“Komisioni Hetimor mbaron afatin më datë 8 tetor, dhe rregulli është në bazë të ndryshimeve të rregullores, që në rast se nuk ka përfunduar veprimtarinë në planin hetimor ka të drejtë dhe duhet t’i kërkojë seancës të paktën një javë para, shtyrjen e afatit. Fakti që u shty dy muaj nuk do të thotë që duhet të zgjasë detyrimisht dy muaj”, – tha Hysi.
Hysi theksoi se, “në bazë të opinionit përfundimtar që do të nxjerrë zyrtarisht Komisioni i Venecias më datë 11 ose 12 tetor, Komisioni Hetimor do mblidhet do ta shqyrtojë. Ne i kemi bërë edhe një kërkesë Presidencës për të na vënë në dispozicion informacionin që ka pasur për shkak të situatës së jashtëzakonshme që pretendoi presidenti që e detyruar të marrë vendim për të nxjerr një dekret për të anuluar datën e zgjedhjeve. Ky draft opinion, është një material shumë i mirë për të gjitha vendet, ku presidentët tentojnë të kapërcejnë ligjet e vendeve përkatëse, por nga ana tjetër na tregon se si funksionon një shoqëri demokratike”.
Mbi deklaratat e bëra dje nga zëdhënësi i Presidentit, Ilir Meta Hysi tha se, “unë si deputete e Kuvendit të Shqipërisë, nuk mund të komentoj një zëdhënës. Ajo që dua të theksoj është të presim opinionin përfundimtar të “Venecias” të presim e të shikojmë se kush ka patur të drejtë, 55 firmëtarët e nismës, apo Presidenti i Republikës”, tha Hysi.
Fraksion.com