AktualitetPolitikëTë fundit

Holanda sërish “JO” Shqipërisë, ministri Blok: Negociata kur të plotësohen kushtet

Holanda pritet të vendos sërish veton për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian. Edhe pse Gjermania do të paraqitet në Këshillin Evropian, në mesin e muajt tetor, me një propozim për të marrë një hapje të kushtëzuar të negociatave për Tiranën, holandezët do të bëhen sërish pengesë.

Top Channel raporton se mos ndryshimi i qëndrimit të Holandës është konfirmuar nga ministri i Jashtëm, Stef Blok, gjatë seancës në Komisionin për Çështjet Evropiane. Gjatë diskutimeve me deputetët, Blok ka theksuar se qëndrimi i vendit të tij do të jetë i ngjashëm me atë të mbajtur përpara verës, kur u theksua se nuk do të ketë negociata për Shqipërinë pa u plotësuar kushtet e qershorit të 2018.

Blok ka theksuar se Shkupi dhe Tirana duhet të trajtohen të ndara në këtë proces.

“Zgjerimi është sërish në agjendën e tetorit. Jam i lumtur t’u përgjigjem pyetjeve që më janë bërë, por nuk do të ketë surpriza, pasi qëndrimi është i njëjtë me atë që diskutuam përpara verës. Besoj se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet të vlerësohen në mënyrë të pavarur sepse janë dy vende të ndryshme me probleme të ndryshme dhe proges të ndryshëm. Unë tregova më herët se shkalla e progresit në Maqedoni është e madhe se në Shqipëri”, është shprehur ministri.

Sipas Blok, Shqipëria është një rast tjetër kur krahasohet me Maqedoninë.

“Unë mendoj se Shqipëria do të jetë në gjendje të hapë negociatat sa më shpejtë që të plotësojë kriteret. Por nuk është ende momenti”, ka deklaruar Blok, raporton Top Channel.

Në Komision ka patur debate edhe sa i përket faktit nëse Holanda do të jetë e vetme në qëndrimin bllokues ndaj Shqipërisë. Blok ka deklaruar se i takon secilit vend anëtar të japë mendimin e tij për zgjerimin.

“Herën e fundit që Këshilli vendosi për këtë (çështje) ishte përpara një viti dhe Holanda, Franca dhe Danimarka ishin shtetet që mbajtën këtë qëndrim. U takon shteteve që të tregojnë pozicionin e tyre”, ka thënë ministri holandez.

Në qershor të këtij viti, në Parlamentin e Holandës u votua një mocion që i kërkon qeverisë të bllokojë hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE për vitin 2019.

Vetë ministri Blok do të deklaronte se Shqipëria nuk ka arritur rezultate të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe se rekomandimi i Komisionit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit është i parakohshëm.

Ai shtoi se Shqipëria nuk ka plotësuar kriterin e luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit./TCH

 

Fraksion.com