AktualitetRajoniTë fundit

“Fluksi i migrantëve”;DW: Athina flet për krizë kombëtare

Athina vendos të zhvendosë migrantët nga ishujt. Gjendja në kampet e tejmbushura në ishujt e Egjeut është kaq dramatike, saqë vetëm akomodimi në kampet brenda vendit mund të lehtësojë disi situatën.

Për të lehtësuar disi gjendjen në kampet e refugjatëve në ishujt grekë në Lindje të Egjeut, qeveria në Athinë ka zhvendosur 350 migrantë duke i sjellë në kampet brenda vendit. Qindra të tjerë do të sillen të hënën në Pireus, raportoi televizioni shtetëror, ERT. Që të premten ministri grek i Mbrojtjes, Nikos Panagiotopoulos deklaroi, se numri i refugjatëve nga Turqia në Greqi po merr „dimensionet e një krize kombëtare”. Qeveria në Athinë kërkon që të zhvendosë në kampet brenda vendit më shumë se 10.000 vetë nga kampet e regjistruara në ishull.

“Nuk bëhet ndryshe, në disa ishuj ka më shumë migrantë se banorë”, theksoi guvernatori i gadishullit të Peloponezit, Panajotis Nikas. „Ne duhet të veprojmë tani dhe të marrim njerëzit.” Kryesisht brenda vendit do të sillen migrantët që kanë shanse të mira për azil në Greqi. Në prill numri i migrantëve që jetonin në ishujt grekë zbriti në 14.000 vetë.

Por sipas organizatës së OKB-së për refugjatët, UNHCR vetëm në gusht kanë ardhur në Greqi, në ishujt Lesbos, Kios, Samos, Leros dhe Kos 8103 migrantë. Kjo është shifra më e lartë që nga hyrja në fuqi e paktit të Turqisë me BE në mars 2016. Ai parasheh, që BE mund t’i kthejë të gjithë refugjatët dhe migrantët që vijnë ilegalisht përmes Turqisë në ishujt grekë. Vetë në Greqi përpunimi i kërkesave për azil kërkon një kohë shumë të gjatë për shkak të mungesës së personelit.

 

Fraksion.com