AktualitetBota+Të fundit

Rudi Giuliani dhe hetimi për shkarkimin e Presidentit Trump

Ka qenë një rrugë e gjatë dhe e çuditshme për Rudy Giulianin, prokurorin e vendosur që fitoi famë duke u quajtur “kryetari i bashkisë së Amerikës” lidhur me mënyrën se si ai drejtoi qytetin e Nju Jorkut pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.

I parë dikur si një kandidat premtues për president nga republikanët, zoti Giuliani po përpiqet tashmë të hedhë poshtë akuzat se ai kishte një rol kryesor në një skandal ndërkombëtar që ka bërë që Presidentin Donald Trump të përballet me një hetim për shkarkimin e tij.

Gjatë dy viteve të kaluara 75 vjeçari Giuliani ka zhvilluar takime të shumta me zyrtarë nga Ukraina, pjesë e një përpjekje për të bindur qeverinë e atij vendi që të hapë një hetim të përqendruar tek ish-nënpresidentin Joe Biden dhe djali i tij Hunter Biden. Ky i fundit ka shërbyer në bordin e një kompanie energjitike në Ukrainë të quajtur “Burisma Holdings”.

Në të njëjtën kohë zoti Giuliani po përpiqej të nxiste kryerjen e një hetimi tjetër lidhur me dyshimet për bashkëpunim mes zyrtarëve ukrainas dhe zyrtarëve të fushatës së Hillary Clinton-it në zgjedhjet e vitit 2016, duke sugjeruar gjithashtu se Joe Biden kishte luajtur një rol në këtë komplot për të cilin nuk egzistojnë fakte.

Joe Biden është parë prej kohësh si kundërshtari më i mundshëm demokrat i zotit Trump në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe sipas njoftimeve është kundërshtari që e shqetëson më shumë presidentin. Zoti Giuliani ka thënë se i ka ndërmarrë këto veprime, në cilësinë e avokatit personal të presidentit.

Ngjarjet u zhvilluan pas lajmeve mbi ankimin e një informatori, i cili pretendonte se Presidenti Trump i kishte bërë presion Presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskiy për të hetuar zotin Biden dhe djalin e tij, gjatë një bisede telefonike lidhur me ndihmën ushtarake. Më vonë Shtëpia e Bardhë publikoi dhe bisedën e zbardhur mes dy presidentëve.

Telefonata e zotit Trump me 25 korrik me zotin Zelenskiy u krye vetëm pasi zoti Giuliani kishte kryer muaj të tërë veprimtarie përtej Atlantikut për t’u takuar me zyrtarë të ndryshëm aktuale dhe ish-zyrtarë ukrainas për të nxitur teoritë e tij lidhur me familjen Biden.

Në fakt në ankimin e informatorit akuzohet gjithashtu zoti Giuliani për ndërlikimin e përpjekjeve diplomatike amerikane në Ukrainë dhe detyrimin e punonjësve të Departamentit të Shtetit në një përpjekje për “të gjetur informacion me përmbajtje dëmtuese”.

Duke folur për Washington Post në fillim të këtij viti, zoti Giuliani tha se ishte takuar me të paktën pesë prokurorë aktualë dhe ish-prokurorë ukrainas me qëllimin për të nxitur ngritjen e një çështje kundër Joe Bidenit dhe djalit të tij.

Ai nuk kishte asnjë ndrojë për t’i shfaqur publikisht qëndrimet e tij.

Në maj për shembull në një postim në Twitter ai shkruante se: “më shpjegoni pse zoti Biden nuk duhet të hetohet nëse djali i tij merrte miliona nga një oligark ukrainas, ndërsa ai ishte nënpresident dhe njeriu kryesor për çështjet e Ukrainës?“.

Në qershor në një tjetër postim në twitter për zotin Biden ai shkruante se kishte dyshime se nënpresidenti kishte “korruptuar” ish-kryeministrin ukrainas Petro Poroshenko, megjithëse ai nuk jepte asnjë fakt mbi këtë akuza dhe deri më tani nuk ka dale asnjë fakt mbi këtë gjë.

Më konkretisht zoti Giuliani po nxit teorinë se zoti Biden në detyrën e nënpresidentit ndërmori veprime të papërshtatshme në vitin 2015 duke nxitur qeverinë në Kiev të shkarkojë Prokurorin e Përgjithshëm Viktor Shokin, i cili konsiderohej i korruptuar nga një numër i madh aleatësh evropianë të Shteteve të Bashkuara.

Pretendimi i zotit Giuliani, të cilin e kishte shkruar edhe më parë në një postim në twitter, në televizion dhe gjatë disa intervistave ishte se motivi i vërtetë i Joe Bidenit ishte të ndalte një hetim mbi kompaninë Burisma në mënyrë që të përfitonte djali i tij. Ky i fundit ishte emëruar anëtar bordi i kompanisë, me një pagë prej 50 mijë dollarësh në muaj.

Por deri më tani zoti Giuliani nuk ka dhënë asnjë provë nëse Joe Biden apo djali i tij kanë ndërmarrë një veprim të gabuar. Në fakt, zyrtarët ukrainas kanë thënë se në kohën që kërkohej shkarkimi i prokurorit, nuk kishte asnjë hetim ndaj kompanisë Burisma.

Zyrtarët kanë thënë gjithashtu se nuk kanë pse të besojnë se Hunter Biden ka bërë diçka të paligjshme.

Pavarësisht kritikave se po fuksionin si punonjës në hije i Departamentit të Shtetit, zoti Giuliani nuk ka ndryshuar qëndrim, madje ka pranuar se po ndërhyn në punët e qeverisë ukrainase në emër të presidentit.

Në një intervistë për The New York Times në muajin maj ai shprehej se: “nuk jemi duke u përzier në zgjedhje, jemi duke u përzier në një hetim, të cilin ne kemi të drejtë ta bëjmë”.

Ai shtonte se “kjo nuk është politikë e jashtme. Unë po u kërkoj atyre të bëjnë një hetim të cilin ata po e bëjnë tashmë dhe që njerëz të tjerë po u kërkojnë që ta ndalin. Do t’u jap atyre arsye se pse nuk duhet ta ndalin, sepse ai informacion do të jetë shumë, shumë i dobishëm për klientin tim dhe mund të rezultojë i dobishëm për qeverinë time”, shprehej zoti Giuliani.

Zoti Trump dhe zoti Giuliani kanë qenë miq prej vitit 1989, kohë kur mbështeti kandidimin për herë të parë të zotit Giuliani për kryetar bashkie të Nju Jorkut.

Nga ana tjetër zoti Giuliani ishte një nga mbështetësit më të zjarrtë e më të ashpër të zoti Trump gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016./VOA

 

Fraksion.com