Reforma në Drejtësi e pashembullt, Rama: Do të transformojë gjithë fizionominë e vendit
Në fjalën e mbajtur dje përpara Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju-Jork, Kryeministri Edi Rama nuk la pa përmendur as Reformën në Drejtësi, të cilën e konsideroi të pashembullt.
“Është procesi i një pastrimi madhor duke hequr gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar nga sistemi, si dhe procesi i ngritjes së institucioneve të reja gjyqësore, të përshtatura për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar në nivelet më të larta, duke transformuar të gjithë fizionominë e vendit”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “korrupsioni në gjyqësor për dekada të tëra, jo vetëm parandaloi bërjen e drejtësisë, por gjithashtu u shndërrua në pengesë, për ta bërë drejtësinë normën e ekzistencës tonë të përditshme si shoqëri”.
“Ndërkohë që sistemi i ri i drejtësisë formësohet ngadalë, duke u bërë plotësisht funksional, ne shpresojmë që ai do të ulë në mënyrë të konsiderueshme të gjitha aktet e korrupsionit dhe të abuzimit me pushtetin dhe do të sigurojë më në fund, triumfin e drejtësisë, e shtetit të së drejtës në të gjithë vendin, një vend që e dua me shpirt dhe që e përfaqësoj me krenari këtu, sot”, tha Rama në OKB.
Fraksion.com