AktualitetPolitikëTë fundit

“Gjermania PO negociatave”; Soreca: Bundestagu njohu progresin e Shqipërisë

“Për ta çuar Shqipërinë më tej përpara në procesin e integrimit europian duhet angazhimi i të gjitha palëve: i qeverisë, parlamentit, opozitës,  presidentit, shoqërisë civile dhe medies”, – deklaroi sot në një prononcim për mediet ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca.

Duke folur për procesin çeljes së negociatave me BE-në për Shqipërinë, Soreca tha se “kur të merret ky vendim në tetor, të gjitha këto palë duhet të bëhen bashkë që Shqipëria të ecë përpara”.

“Kemi mirëpritur vendimin që u mor nga udhëheqësi i opozitës për t’u bërë pjesë e tryezës së rrumbullakët të organizuar nga OSBE për reformën zgjedhore. Ky është një hap i mirë, hap i parë. Është shumë e rëndësishme që të gjitha palët të kuptojnë se duhet patjetër që të bashkëpunojnë kur të merret vendimi për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Duhet të kuptojnë se është përgjegjësi e përbashkët e të gjithëve, ndaj duhet të ulen e të zgjidhin problemet, reforma zgjedhore është vetëm njëra prej tyre. Kjo çështje ka të bëjë me të qenit të bashkuar për të ecur përpara”, – tha Soreca.

“Jemi të lumtur për vendimin e Bundestagut, i cili njohu arritjet e Shqipërisë si dhe identifikoi ato që duhet të arrijë Shqipëria”, – tha Soreca.

“Jam shumë i kënaqur për këtë rezolutë kaq të rëndësishme që ka ndërmarrë Bundestagu. Bundestagu gjerman thjesht njohu progresin apo ecurinë që ka bërë Shqipëria, duke identifikuar po ashtu disa fusha që ishin identifikuar më parë për Shqipërinë kështu që nuk do flas për kushte të reja. Gjermania është një vend i rëndësishëm në BE për rolin që luan jo vetëm brenda BE, por edhe në arenën ndërkombëtare në politikën e jashtme”.

Ambasadori sqaroi gjithë procedurat që do të ndiqen deri në vendimin për çeljen e negociatave. Sipas tij, “Gjermania është vend shumë i rëndësishëm për BE-në me rolin që luan në BE dhe politikën ndërkombëtare”.

Por, tha Soreca, “kemi shtete të tjera anëtare në BE që po vazhdojnë diskutimin e tyre për vendimin”.

“Vendimi i Gjermanisë është vetëm një hap që do të na çonte në rrugën e duhur, pro duhet të respektohen edhe të gjitha vendimet që do merren në shtetet e tjera anëtare në BE. Në rezolutën e tij, Bundestagu gjerman i ka thënë qeverisë federale të thotë ‘Po’ për Shqipërinë për çeljen e negociatave. Në rast se është ky qëndrim që do të mbajnë të gjitha shtetet anëtare në Këshill, Këshilli do të marri këtë vendim kaq të rëndësishëm”, – tha Soreca.

Sipas tij, “në rast se merret dhe është vendim i Këshillit të BE-së, do të pasohet në një Konferencë Ndërqeveritare ku BE dhe Shqipëria do të ulen së bashku për çeljen e negociatave”.

“Në periudhën mes këtij vendimi të Këshillit të BE-së dhe Konferencës Ndërqeveritare që zgjat 3-6 muaj duhet të bëhen dy gjëra. Është pikërisht çelja zyrtare e negociatave që do të ndodhë në këtë Konferencë Ndërqeveritare. Ndërkohë që kemi edhe disa elementë të tjerë që i gjejmë në rezolutën e Bundestagut gjerman që duhen përmbushur përpara hapjes së kapitujve të caktuar gjatë negociatave”, – tha Soreca.

Kjo, sipas ambasadorit, “kërkon angazhimin apo përkushtimin e të gjithëve”. “E theksoj këtë, sepse për këtë çështje dhe për ta çuar Shqipërinë më tej përpara duhet angazhimi i të gjitha palëve: i qeverisë, parlamentit, opozitës, presidentit, shoqërisë civile, medies. Kur të merret ky vendim në tetor të gjitha këto palë duhet të bëhen bashkë që Shqipëria të ecë përpara. Sigurisht që unë dua ta shoh që të gjitha palët të ulen së bashku”,  tha Soreca.

 

Fraksion.com