BE mbështet qeverinë shqiptare pas tërmetit; Xhaçka: Asistenca, dëshmi e solidaritetit
Mekanizmi i Mbrojtjes Civile të Bashkimit Europian mbështet dhe ndihmon Shqipërinë në menaxhimin e situatës pas tërmetit të 21 Shtatorit, që preku disa qarqe të vendit. Një ekip i specializuar i këtij mekanizmi ka mbërritur në Tiranë, duke iu atashuar ekipeve shqiptare të emergjencës për vlerësimin e dëmeve në terren dhe ofrimin e asistencës së tyre. Në një deklaratë të përbashkët për shtyp me ambasadorin e Delegacionit të BE në vendin tonë, Luigi Soreca dhe drejtuesin e ekipit te BE për Emergjencat Civile, Peter Glerum, Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka vlerësoi aktivizimin e menjëhershëm të asistencës së BE pas tërmetit që shkaktoi jo pak shqetësim tek qytetarët.
“E vlerësoj akoma më shumë këtë mbështetje, për faktin që Shqipëria sot nuk është e anëtarësuar në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Europiane. E megjithatë jemi dëshmitarë të një shfaqje kaq të bukur dhe domethënëse solidariteti. Dua të falënderoj çdo vend që përmes këtij Mekanizmi, bujarisht ka vendosur që të na mbështesë në këto momente të vështira. Ka kaluar shumë pak kohë, që kur Kuvendi i Shqipërisë miratoi ligjin e ri për Mbrojtjen Civile dhe tërmeti i datës 21 shtator ishte testi i parë i këtij mekanizmi që është ende në hapat e para dhe që kërkon ende shumë punë, koordinim, transformim institucional e përgjegjësish, përpara se të bëhet vërtet funksional. Por ishte një test që gjithsesi tregoi se çfarë potenciali të jashtëzakonshëm ka ky mekanizëm i ndërtuar mbi modelet që funksionojnë sot në BE”, tha Minstrja në deklaratën e saj.
Ambasadori Soreca pasi përgëzoi autoritetet shqiptare për menaxhimin e situatës konfirmoi se Bashkimi Europian do të jetë gjithmonë në krah të Shqipërisë. Shqipëria është afër nesh edhe ne zemrat tona, në shqetësimet tona. Përgëzoj reagimin e shpejtë të vendeve të BE që i i qëndruan pranë Shqipërisë. Vetëm pak ditë pas aktivizimit të këtij mekanzimi kemi një ekip me 8 ekspertë. që është i formuar nga qendra e ragimit të Emergjencave. Ekipi do të mbikqyrin dhënien e të gjitha sendeve. Janë autoritet shqiptare që po udhëheqin punën. Tërmetet kanë treguar nevojshmërinë për një agjenci të fortë të mbrojtjes civile” tha ai.
Sic bëri me dije edhe shefi i ekipit nga ERCC Peter Glerum, ekspertët e këtij mekanizmi gjatë 2 javëve të qëndrimit në Shqipëri do të vizitojnë në terren dëmet e shkaktuara për të bërë vlerësimin e situatës në mbështetje të autoriteteve respektive të qeverisë shqiptare. Ndërkohë, prej ditës së djeshme kanë nisur të mbërrijnë në Shqipëri ndihmat e para nga Hungaria, Greqia, Austria, Italia, Sllovakia, Sllovenia, Norvegjia, Franca, Gjermania dhe Britania e Madhe.
Fraksion.com