AktualitetPolitikëTë fundit

Tabaku: Shqipëria mori mbështetje nga Bundestagu

“Fati Shqipërisë është Europa! Shqipëria dhe shqiptarët dje  morën një lajm të mirë që na inkurajon në rrugën tonë drejt BE-së”, shprehet ish deputetja e PD-së Jorida Tabaku, ndërsa shton se kushte e vendosura, janë si harta e rrugës për të dalë nga kriza e thellë politike.

Po ashtu Tabaku shton se “fatmirësisht për ne ditën e djeshme Bundestagu nuk e ndau Shqipërinë në procesin e integrimit nga fqinji i Maqedonisë së Veriut. Gjasat ishin të mëdha që keqqeverisja dhe situata politike e kishin kthyer procesin e Shqipërisë në një pikëpyetje të madhe. Debatet e shumta në parlamentin gjerman janë shenjë e një dyshimi të madh që ligjvënësit kanë në lidhje me Shqipërinë.

Tabaku shton se një mekanizëm i ri është vendosur në punë për rastin e Shqipërisë.

“Shqipëria do të vlerësohet së pari për dy kritere specifike ngritjen e Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese dhe së dyti për zbatimin e rekomandimeve të ODHIR për votimin e 30 Qershorit në veçanti por dhe të gjitha rekomandimet e paplotësuara për zgjedhjet e vitit 2013, 2015 dhe 2017! Vetëm në qoftë se këto kushte plotësohen në konferencën e parë të zgjerimit do të kemi mundësi të diskutohet për Shqipërinë për të caktuar një datë për tu vlerësuar për një konferencë të dytë ku duhen plotësuar 7 kushte të tjera ndër më të rëndësishmet është dhe hetimi dhe vendosja përpara drejtësisë e atyre që janë akuzuar për blerjen e votës”, tha ajo

Gjithashtu Tabaku arsyeton se “Parlamenti Gjerman dje u tregua i qartë sa i takon zgjidhjes së krizës politike e cila është kusht për integrimin e vendit në BE. Debati i gjatë për mbi 1 orë e gjysmë nga deputetët gjermanë në lidhje me kriminalizimin e çdo cepi të jetës politike, rritjen e trafikut të drogës dhe mos dënimit të krimeve elektorale; janë tregues të një gjendje kritike të vendit.

“Pikërisht falenderimet i takojnë Bundestagut dhe padyshim edhe zotit Johan Ëadephul, nën drejtimin e të cilit koalicioni i CDU/CSU mbeshteti rrugën Europiane të Shqipërisë. Vetëm falë insistimit dhe këmbënguljes së z. Wadephul, që drejton grupin e Ballkanit Perëndimor, u bë e mundur që dhe ata që ishin skeptikë ti japin dhe një mundësi Shqipërisë!Që në krye të herës kjo ka qenë dhe kërkesa e Partisë Demokratike!”, shprehet ajo.

Tabaku shprehet  se “Le të jenë kushtet e vendosura nga Gjermania si harta e rrugës për të dalë nga kriza e thellë politike, institucionale dhe ligjore ku është futur vendi. Bundestagu i dha një mundësi përsëri Shqipërisë, ndarja de juro me Maqedoninë e Veriut do të kishte qënë fatale për ne!

“Dje Shqipëria dhe shqiptarët morën një mbështetje në përpjekjen e gjithsecilit prej tyre për një vend më të mirë dhe brenda në BE. Numërimi mbrapsht për plotësimin e kushteve ka nisur. Kushdo që dëshiron të krenohet me lugën bosh për të tretin vit radhazi nuk ka përse të jetë pengesa e shqiptarëve në rrugën për të marrë një datë dhe për të qenë aty ku ne e meritojmë dhe na takon; një vend brenda Bashkimit Europian. Një ëndërr që jam plotësisht e bindur që mund ta sigurojë vetëm PD dhe Opozita e bashkuar!”, shprehet ajo.

 

Fraksion.com