SHBA dërgon sisteme të mbrojtjes ajrore në Arabinë Saudite
Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të dërgojnë në Arabinë Saudite një sistem të raketave Patriot, dy sisteme të radarëve Sentinel dhe personel mbështetës prej rreth 200 vetash.
Vendimi pason sulmet e 14 shtatorit mbi rafineritë e naftës në Arabinë Saudite, për të cilat Uashingtoni e fajësoi Iranin.
“Këto dërgesa do të forcojnë mbrojtjen ajrore dhe rakterore të Mbretërisë”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman.
Ushtria amerikane po ashtu tha se është e përgatitur për mobilizim të shpejtë nëse është e nevojshme.
Tensionet midis Teheranit dhe Uashingtonit janë rritur prejse Shtetet e Bashkuara, vitin e kaluar, janë tërhequr nga marrëveshja bërthamore e vitit 2015 midis Iranit dhe fuqive botërore.
Tensionet kanë shkuar duke u përshkallëzuar për shkak të disa incidenteve në Gjirin Persik, përfshirë edhe sulmet me dronë dhe raketa në Arabinë Saudite, për të cilat përgjegjësinë e kanë marrë rebelët shiitë Huthi në Jemen.
Megjithatë, Shtetet e Bashkuara, Arabia Saudite dhe vendet e Evropës perëndimore kanë fajësuar Iranin, i cili e ka mohuar përfshirjen.
Sulmet ajrore kanë dëmtuar objektin më të madh në botë për përpunimin e naftës dhe kanë ndërprerë më shumë se 5 për qind të furnizimeve globale me naftë.
Fraksion.com