“Po flemë në çadra”; Deputetët e rinj kërkojnë kredi si të pastrehë
Deputetët e rinj, të cilët morën mandatet që dorëzuan ligjvënësit e PD-LSI, kërkojë miratimin e një vendimi nga Parlamenti, për të përfituar kredi me interes të ulët ose zero, si të pastrehë.
Propozimi është artikuluar nga deputeti demokrat Myslim Murrizi gjatë mbledhjes së fundit të Konferencës së Kryetarëve.
Murrizi ka folur për kushte të vështira jetese të deputetëve të opozitës së re, të cilës sipas tij, po bëhen si disa pjesëtarë të komunitetit rom që flenë në çadra.
Sipas Murrizit, buxhetit të shtetit nuk i kushton asgjë për të ndihmuar 15-20 deputetë që të blenë shtëpi të reja, në mënyrë që të kenë njëfarë dinjiteti. “A të bëjmë ndonjë vendi ma të biem dakord të gjithë parimisht, për 15 apo 20 deputetët e rinj, të cilët kanë nevojë të mbështeten? Më duket se deri në vitin 2009 ka qenë ligji që deputetët dhe funksionarët e lartë publik përfitonin një kredi me interes të ulët. A ekziston mundësia që të bëhet një vendim Kuvendi apo qeverie, nëse keni ndrojtje nga populizmi thoni që e ka propozuar Myslim Murrizi, që këta deputetë të marrin kredi?
Ata nuk janë aksionerë as në PPP-të dhe as në tendera, por e kanë të nevojshme të mbështeten me një kredi, siç kam marrë unë, por edhe ju në vitin 1997, 1992 dhe në vitet e tjera me radhë. Nuk besoj se është hipokrizi për të ndihmuar 15 apo 20 deputetë, prandaj duhet ta bëjmë një vendim. Pra, bëhet fjalë për 1 miliard lekë të vjetër, që janë më pak se 1 milion euro.
T’ia heqim Unazës 100 metra dhe t’ua japim këtyre deputetëve që të kenë edhe ata një farë dinjiteti, sepse po bëhen si arixhinjtë me çadra. Unë besoj se gjithsecili deputet që është futur tani ka një farë rëndësie për mbarëvajtjen e këtij vendi, edhe për ekzistencën në këmbë të këtij parlamenti, ishalla po na hapen negociatat. Pra, nuk na kushton asgjë t’i mbështesim për të blerë një shtëpi”, ka propozuar Murrizi.
Ky propozim ka kaluar në heshtje nga përfaqësuesit e mazhorancës në Konferencën e Kryetarëve. Nga ana e tyre, nuk ka pas asnjë qëndrim, as pro dhe as kundra.
Ndërkohë, në fillim të vitit 2014, disa muaj pas ardhjes në pushtet, qeveria Rama vendosi të anulonte vendimin për strehimin e funksionarëve publikë, përmes kredive me interes të ulët ose zero.
Fraksion.com