AktualitetTë fundit

Oriz në vend të kokainës nga Pireu në Durrës

Dalin në dritë detaje të reja nga operacioni antidrogë Shqipëri-Greqi, ku u sekuestruan 1 kg kokainë, e cila kishte ardhur me kontejner në portin e Durrësit nga Ekuadori.

Nga aksioni u arrestuan Ardian Bega, oficer i sigurisë në portin e Durrësit, shtetasi Altin Myslimaga, si dhe është shpallur në kërkim shtetasi me inicialet G.M. Mësohet se skema e trafikut Ekuador-Pire-Shqipëri, kishte pak ditë që po hetohej nga policia greke.

Ngarkesa e kokainës, e cila ishte nisur nga Ekuadori me 2 kontejner, me një sasi prej 45 kg, pasi u pikas nga policia greke, u zëvendësua me oriz në përpjekje për të futur në kurth porositësit, duke lënë vetëm 1 kg. Pasi e ambalazhuan drogën në mes të orizit, policia brenda tyre vendosi edhe gps (aparat lokalizues).

Pasi u vunë në dijeni nga autoritetet greke, policia shqiptare ndërmori masat, ndërsa prokuroria çeli procedim penal.

Mësohet se në portin e Durrësit kanë qenë 4 oficerë policie që mbikëqyrnin kontejnerët, ndërsa operacioni vëzhgohej dhe nga një pallat përballë portit. Pasi ngarkesa në fjalë u mor nga oficeri i sigurisë së Portit, i cili u takua me shtetasin me inicialet G.M. Ky i fundit bashkë me Begën arritën të merrnin ngarkesën, të cilën e hodhën jashtë një makine me targa franceze, pasi pikasën se mbështjellja e drogës ishte e dyshimtë.

 

Fraksion.com