Rama nga SHBA: Trump më tha se Shqipëria po ecën mirë
Kryeministri Edi Rama ka folur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku merr pjesë në Asamblenë e 74-t të Kombeve te Bashkuara. Takimi me kryeministrin e Greqisë, Mitsotakis, rikthimi i idesë së Shengenit rajonal, vendimi i Bundestagut për çeljen e negociatave, reforma zgjedhore etj kanë qenë temat që ka prekur shefi i qeverisë shqiptare në intervistën e dhënë nga New Yorku.
Rama ka dhënë detaje dhe për takimin me Presidentin amerikan Donald Trump.
“Patëm një bisedë të shkurtër sepse i tillë është formati por të këndshme dhe të mjaftueshme për të kuptuar se marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe natyrisht edhe inkurajuese sepse të dëgjosh nga goja e Presidenti që Shqipëria po shkon mirë është kënaqësi”, u shpreh Rama.
Intervista e Kryeministrit Edi Rama në New York, ku ndodhet në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara:
Zoti Kryeministër ju patët një takim me Presidentin Trump. Çfarë biseduat konkretisht për Shqipërinë?
Patëm një bisedë të shkurtër, sepse i tillë është formati, por të këndshme dhe të mjaftueshme për të kuptuar se marrëdhëniet janë të shkëlqyera dhe natyrisht edhe inkurajuese, sepse të dëgjosh nga goja e presidentit “Albania is doing pretty good” është kënaqësi.
U duk shumë miqësore takimi me Kryeministrin grek Mitsotakis. Ishte takimi juaj i parë sapo mbërritët në Shtetet e Bashkuara. Çfarë diskutuat konkretisht dhe cila do të jetë ecuria e marrëdhënieve tona me Greqinë dhe qëndrimi i Greqisë për integrimin e vendit në BE?
Ishte takimi i parë, një prezantim miqësor. Është e qartë se ka një vullnet pozitiv nga të dyja palët për të çuar përpara një proces të nisur të diskutimit të hapur dhe të zgjidhjes së disa çështjeve të vjetra dhe të mbartura. Sikundër ka dhe një dëshirë të përbashkët për të hedhur hapa të rëndësishëm në bashkëpunimin bilateral në çdo plan, padyshim edhe në planin ekonomik.
Zoti Kryeministër, ju më herët keni qenë ideator i një shengeni rajonal. Mund të na shpjegoni disa detaje dhe ky qëndrim mbi shengenin.
Unë jam shprehur më herët dhe për këtë kam marrë edhe akuza, sepse dikush që e ka krijuar idenë e ka lidhur menjëherë me heqjen e kufirit mes Shqipërisë dhe Kosovës, çka për mua mbetet një prioritet i një rëndësie shumë të veçantë, por i parë në një kontekst shumë më të gjerë. Na është dhënë mundësia që në hapësirën e punimeve të kësaj Asambleje të jemi sëbashku me Presidentin e Serbisë dhe me kryeministrin e Maqedonisë së Veriut dhe kemi rënë dakord që të takohemi së shpejti për të diskutuar mbi një hap të rëndësishëm bashkëpunimi mes të tre vendeve, që nuk është absolutisht përjashtues për vende të tjera, përkundrazi është një hap për të nxitur të tjerët që të bashkohen. Natyrisht për mua dhe për Shqipërinë, ky hap ka një rëndësi të madhe, nëse në bazë të kësaj, le të themi, marrëveshje të mundshme është heqja e kufijve; heqja e kufijve për njerëzit, heqja e kufijve për mallrat, heqja e kufijve për të gjithë ata që bëjnë sipërmarrje dhe për investitorë të mëdhenj, që është e qartë për të investuar në rajonin tonë kanë nevojë për një treg shumë më të gjerë sesa tregu i vogël i secilit prej vendeve të marra veç e veç. Kështu që besoj është pozitive që kemi jo dakordësi akoma, por një mirëkuptim që ky është momenti për t’i çuar gjërat më tutje, edhe në një kontekst europian, pasi ndërkohë që secili nga vendet individualisht bën rrugën e vet drejt BE-së, sëbashku ne mund të bëjmë shumë më tepër rrugë si rajon, për të rritur ekonominë dhe mirëqenien e njerëzve që jetojnë në rajon.
Shqipëria mori një “PO” nga CDU/CSU gjermane, pra, nga qeveria e Kancelares Merkel, për integrimin në BE me 9 kritere. Si e lexon qeveria shqiptare këtë qëndrim të Gjermanisë?
Së pari, është qeveria gjermane që ka marrë nga shumica në Bundestag një dritë jeshile për të shkuar në Këshillin Europian me një “PO” për çeljen e negociatave për Shqipërinë. Çelja e negociatave do të thotë fillimi i një procesi aspak të thjeshtë dhe të gjatë përmbushje kushtesh. Që do të thotë se gjëja më minimale që do të mësohemi tash e tutje është se duke çelur negociatat, kemi çelur një rrugë që do na duhet të përmbushim jo dy, as nëntë, por qindra në mos mijëra kushte në çdo sektor për çdo aspekt dhe të gjitha këto janë në të mirën tonë. Kushtet e përcaktuara në dokumentin e partive të shumicës janë kushte, të cilat i bëjnë mirë vendit dhe të cilat i duhen vendit. Nuk është, le të themi, në interesin e drejtpërdrejtë të CDU-s që Shqipëria të ketë një proces ku të përmbushë ato kushte, është në të mirën e vendit tonë. Kjo është e mira e negociatave. Negociatat nuk janë për ta marrë Shqipërinë dhe për ta çuar fizikisht diku tjetër, por për ta bërë Shqipërinë një vend europian, ku njerëzit si pjesë e familjes europiane të jetojnë në të njëjtat kushte dhe të kenë të njëjtat kushte. Unë jam shumë i inkurajuar nga kjo. I jam shumë mirënjohës Kancelares, e cila ka qenë pa diskutim forca kryesore në thyerjen e asaj barriere që kishim në Bundestag. I jam shumë mirënjohës edhe atyre në CDU, që nga Johann Wadephul dhe gjithë të tjerët, e kanë mbështetur Shqipërinë dhe kanë bërë gjënë e duhur, ashtu sikundër mirëkuptoj edhe ata që kanë qenë kundër. Ka qenë një debat i fortë përderisa ka patur një shumicë “pro” dhe një pakicë “kundër”, që do të thotë që “pro”-ja ka hapur negociatat përsa i takon Gjermanisë, përndryshe, për çfarë është diskutuar e për çfarë votuar. Ne do t’u mbushim mendjen dhe atyre që do kishin bërë më mirë që të kishin votuar pro, sepse Shqipëria e meriton, por kjo duhet bërë hap pas hapi, me fakte dhe me prova.
Zoti kryeministër, ka patur zhvillime sot në Tiranë. Është mbledhur komisioni për Reformën Zgjedhore. Partitë e opozitës jashtë parlamentare janë larguar nga tryeza, janë bashkuar dhe partitë e opozitës që ndodhen në Parlament, të cilat u rikthyen përsëri. Kreu i OSBE është shprehur se nuk e qeverisim ne Shqipërinë, pasi partitë e opozitës jashtë parlamentare kërkojnë një strukturë ndërkombëtare që të drejtojnë Reformën Zgjedhore. Cili është qëndrimi juaj?
Qëndrimi është ai që dihet, por unë nuk dua të bëj polemika dhe nuk dua t’u marrë kohë shqiptarëve me avazin e “kush e ka fajin”. Unë dua tani thjesht të them se ne tanimë na duhet të përshpejtojmë procesin e reformës, bazuar në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it. Të gjithë jemi të mirëpritur për më shumë, por rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë të qarta, janë të shkruara e zeza mbi të bardhë dhe ne do të ecim në to. Unë dua që ne të jemi në gjendje që një orë e më parë të përmbushim çdo kusht për Shqipërinë europiane, për të pasur datën e konferencës së parë mes qeverisë së Shqipërisë dhe të gjitha vendeve anëtare, ku janë në tavolinë liderët e këtyre vendeve, që është dhe hapi i pari i formalizmit, zyrtarizmit për çështjen e negociatave.
Kështu që, me gjithë respektin për të gjitha idetë, për të gjitha dëshirat e të gjitha ëndrrat e gjithsekujt, ne procesin do të përshpejtojmë dhe pse jo ta ndajmë në dy pjesë. Pjesa e parë është përmbushja e këtij kushti dhe garantimi i një ligji zgjedhor që ka brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe pjesa e dytë t’i japim kohë vetes që të diskutojmë për të gjitha aspektet e tjera. Do të dëgjojmë me respekt të gjitha kontributet, të gjitha idetë. Ne jemi partia e shumicës, kemi dhe ne idetë tona, kemi dhe ne kontribute për të dhënë përtej këtyre, por në raport me Bashkimin Europian duhen këto dhe në raport me zgjedhjet e ardhshme këto janë të domosdoshme. Pjesa tjetër është mbase e nevojshme, në një mënyrë ose në një tjetër, për një parti apo një tjetër, por nuk është gjëja më e domosdoshme. Edhe ne kemi një ide që do ta çojmë deri në fund që është vota e shqiptarëve jashtë Shqipërisë dhe duam që ata të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, por kjo i mbetet pjesës së dytë të procesit, përpara sigurisht zgjedhjeve të ardhshme që janë në 2021. Çka tani për ne është prioritet i prioriteteve është kalimi i të gjitha ndryshimeve në ligjin zgjedhor që kanë brenda të gjitha rekomandimet e OSBE/ODHIR. Për këtë do të duhet harmonizim patjetër edhe me OSBE/ODHIR dhe me partnerët, ndërkohë që strukturë ndërkombëtare, ndërmjetës ndërkombëtarë dhe përkthyes në gjuhën e huaj për t’u marrë vesh me shqiptarët, unë për veten time nuk kam për të pranuar asnjëherë.
Ju do ta pranoni edhe nëse opozita jashtëparlamentare nuk do të jetë pjesë e tryezës?
Për pjesën e parë nuk ka nevojë për opozitën jashtëparlamentare dhe nuk besoj se opozita jashtëparlamentare është kundër, sepse ato janë rekomandime të shkruara e bardha në të zezë dhe nuk kemi se çfarë të diskutojmë, siç mund të diskutojmë për të tjera aspekte që lidhen me sistemin, që lidhen me të tjera ide dhe sugjerime. Kjo i duhet Shqipërisë tani, nuk është diçka që i duhet qeverisë aspo Partisë Socialiste, kjo tani i duhet Shqipërisë. Shqipëria duhet të realizojë sa më shpejt plotësimin e vendeve që janë ende të zbrazura si pasojë e pastrimit që i është bërë deri tani sistemit të drejtësisë në organet që janë të përcaktuara nga Kushtetua si organe bazë të sistemit dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR. Këto të dyja janë të domosdoshme. Për pjesën e parë është një përgjegjësi edhe e ndërkombëtareve që monitorojnë Reformën në Drejtësi, pasi vettingun nuk e bën qeveria, ritmin e vettingut nuk e përcakton qeveria, kush del jashtë sistemit nuk është vullneti i qeverisë, por është procesi i monitoruar nga ndërkombëtarët. Ndërkohë që për pjesën tjetër na duhet Parlamenti dhe kaq.