AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi pritet të emërohet pas 7 tetorit

Vendimi për të emëruar një të dërguar të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është tashmë i sigurt, thonë burimet diplomatike për Shërbimin e Ballkanit të Radios Evropa e Lirë.

Sipas tyre, vendimi ka gjasa të shpallet pas dëgjimit të shefit të ardhshëm të politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, në Parlamentin Evropian.

Mësohet se Borrell, i cili vazhdon të shërbejë si ministër i Jashtëm i Spanjës, i ka njoftuar me këtë ide edhe disa kolegë të vendeve të tjera të BE-së.

Diplomatët, megjithatë, ende nuk flasin për emra konkretë të emisarit të ardhshëm, por thonë se ai, së paku, duhet të ketë ose të ketë pasur pozitën e ministrit të jashtëm.

Seanca dëgjimore e Borrellit në Parlamentin Evropian është caktuar për datën 7 tetor, kur edhe pritet të marrë konfirmimin zyrtar nga ky institucion.

Ideja për emërimin e një të dërguari evropian për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë erdhi pasi administrata amerikane emëroi Mathew Palmerin të dërguar të posaçëm për Ballkanin.

Ky vendim i Uashingtonit, në këmbim me sfondin politik të Borrellit, i cili vjen nga një vend që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, thuhet se ka ngritur çështjen e emërimit të një personi të ri që të merret drejtpërdrejt dhe në mënyrë aktive me dialogun Kosovë-Serbi.

Procedura për emërimin e këtij emisari, sipas pritjeve të diplomatëve, duhet të përfundojë përpara se Borrell të marrë detyrën e shefit të diplomacisë evropiane, përkatësisht para 1 nëntorit të këtij viti.

Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, i cili tash e sa vite është ndërmjetësuar nga kreu i diplomacisë evropiane, është ndërprerë qëkur Kosova u ka vënë taksë prodhimeve të importuara nga Serbia, në nëntor të vitit të kaluar.

Përkundër thirrjeve të BE-së dhe SHBA-së për heqjen e kësaj takse, autoritetet në Kosovë nuk kanë ndryshuar qëndrim.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se pa heqjen e taksës, dialogu nuk do të vazhdojë.

 

Fraksion.com