AktualitetPolitikëTë fundit

Boshatiset Kuvendi; Ja se çfarë bëjnë deputetët

Ligjvënësit nuk janë ulur në ndenjëset e tyre si çdo të enjte në sallën e seancave plenare. Por jo vetëm seanca mungon, por edhe komisionet parlamentare nuk janë zhvilluar gjatë gjithë kësaj jave.

Rregullorja e re e organizimit dhe funksionimit të Parlamentit, detyron deputetët t’i drejtohen zonave ku janë zgjedhur për të dëgjuar problemet e qytetarëve. Sipas Rregullores, Kuvendi zhvillon punime në seancë plenare për diskutimin e ҁështjeve të evidentuara nga zgjedhësit pasditen e ditës së hënë, që pason javën me veprimtari njohëse me zgjedhësit. Kësisoj, deputetët do të mblidhen pasditen e së hënës së ardhshme në seancë plenare, pikërisht për të diskutuar mbi problematikat me të cilat janë përballur gjatë takimeve me elektoratin përgjatë javës.

Seanca e së hënës, pritet të zgjasë jo më shumë se katër orë. Koha e diskutimeve do ndahet në mënyrë të barabartë mes shumicës dhe pakicës, duke marrë parasysh edhe deputetin e pavarur ose deputetin jashtë grupeve parlamentare.

Gjatë kësaj jave, ligjvënësit, por edhe anëtarët e kabinetit qeveritar janë angazhuar në takime të shumta kryesisht në qarqet Durrës dhe Tiranë, për të ndjekur nga afër pasojat e tërmetit të së shtunës pasdite, nga i cili pati edhe dëme në disa ndërtesa, por fatmirësisht pa prekur jetën e qytetarëve. Nisur nga kjo situatë, pritet që diskutimet në seancën e së hënës së ardhshme të dominohen nga diskutimet mbi përballimin e pasojave të tërmetit të fundjavës së kaluar.

 

Fraksion.com