“Të gjitha për Reformën në Drejtësi”; Braçe: Lulzim, fiks 9 lajme të mira nga Gjermania
“Fiks-9 lajme të mira nga gjermania, të gjitha lidhen me Reformën në Drejtësi dhe thellimin e saj”, u shpreh sot zëvendëskryeministri, Erion Braçe, ndërsa i drejtohet liderit të opozitës Lulzim Basha duke i thënë se gjermanët kërkojnë produkt nga reforma dhe luftë korrupsionit në nivele të larta.
“Fiks-9 lajme të mira nga Gjermania. Por; a të kujtohet reforma në drejtësi Lul? Quaje si të duash, “lajm të mirë nga Gjermania”, “kusht”, “Remaforma” etj etj; Po a të kujtohet? Të nëntë “kushtet” janë Reforma në Drejtësi ose të lidhura qartë me Reformën në Drejtësi!”, shprehet ai.
Më tej, Braçe shton se “Gjermanët edhe ata në atë që na i tregoje si “kalanë” tënde politike, njohin Reforma në Drejtësi, madje kërkojnë në mënyrë të qartë qëndrimin në kursin e reformës, thellimin e saj deri në ndjekjen penale të prokurorëve e gjykatësve të larguar nga Vettingu; Duan patjetër produkt të reformës në luftën kundër krimit e korrupsionit në nivele të larta”.
“Tani çdo besh, do na i tregosh si “kushte”, do vijosh ta luftosh me gjysmën tënde më të mirë apo do ta njohësh?! Cilën nga këto do të të lejoje ustai të bësh?”, shton ai.
Po ashtu, Braçe thekson se nuk do të ndalemi në thellimin e Reformës në Drejtësi
“Kjo për ty! Për ne, secila nga ato pika është punë e përditshme; Nuk do ndalemi për to, as me bojkot, as me dhunë e as me zjarr! Deri në fund do shkojmë drejt përmbushjes se tyre, pastrimit te sistemit aktual, krijimit te institucioneve të Drejtësisë së Re të pastër, të pavarur, profesionale, funksionale e të barabarte për të pushtetshmit së pari, marrjen e produktit më të mirë të saj në betejë me politikën e pistë, sipërmarrjen e paligjshme në pikëpamje fiskale, sipërmarrjen e paligjshme dhe të hapur për paratë e krimit e pastrimin e tyre dhe, vete krimin e organizuar!”, shprehet ai.
Fraksion.com