AktualitetBota+Të fundit

Gjykata e Lartë britanike: Pezullimi i parlamentit, i paligjshëm

Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vendosi të martën që të shpallë të paligjshëm veprimin e kryeministrit Boris Johnson, i cili kishte këshilluar mbretëreshën Elizabeth të pezullojë parlamentin, disa javë para Brexitit.

Sipas gjykatës, rrjedhimisht pezullimi është i pavlefshëm.

Vendimi u hapi rrugën ligjvënëseve që të kthehen në parlament ku kryeministri Johnson nuk e ka shumicën. Situata e re mund t’u jap mundësi ligjvënësve që kundërshtojnë largimin nga Bashkimi Evropian pa një marrëveshje, gjë që kryeministri është kërcënuar ta bëjë, ta pengojnë strategjinë e tij.

Kryetarja e Gjykatës së Lartë, Brenda Hale, tha se “vendimi për të këshilluar madhërinë e saj që të pezullojë parlamentin ishte i paligjshëm, sepse pengonte parlamentin që të kryejë funksionin e tij kushtetues, pas një arsyetim të qëndrueshëm”.

Ajo tha se vendimi ishte i njëzëshëm nga të gjithë 11 anëtarët e gjykatës dhe tash u takon kryetarëve të dhomave të parlamentit të vendosin për veprimet e mëtejshme.

Parlamenti u pezullua nga 10 shtatori deri më 14 tetor. Pezullimi u miratua nga mbretëresha Elizabeth, shefja e paanshme e shtetit, me këshillën e kryeministrit.

Kryetari i dhomës së përfaqësuesve, John Berkow, mirëpriti vendimin e gjykatës duke paralajmëruar fillimin e këshillimeve me udhëheqësit e partive për rifillimin punës së parlamentit.

Udhëheqësi i Laburistëve, Jeremy Corbyn, i bëri thirrje kryeministrit Johnson “të shqyrtojë pozicionin e tij” dhe të thërras zgjedhjet e reja pas vendimit të gjykatës.

Edhe ligjvënës të tjerë, përfshirë edhe anëtarë të Partisë Konservatore që ishin përjashtuar për shkak të kundërshtimit të qasjes së kryeministrit Johnson, thanë se ai duhet të paraqesë dorëheqjen./VOA

 

Fraksion.com