Fortesa Europë hap një frëngji, po vetëm një
Nga Bernd Riegert
Të paktën për refugjatët e shpëtuar në Detin Mesdhe, disa ministra të Bashkimit Europian duan të arrijnë një kuotë pranimi. Deri tani ishte ndjekur rruga e mbylljes së Europës. Një kthesë e vogël, mendon Bernd Riegert.
Në takimin zyrtar të ministrave të Punëve të Brendshme në BE në tetor do të bjerë ora e së vërtetës. Vetë optimistët nuk parashikojnë se mekanizmit të detyrueshëm të shpërndarjes do t’i bashkohen më shumë gjysma e vendeve anëtare. Gjysma tjetër do të fshihet pas Hungarisë, Polonisë, që me këmbëngulje, në mënyrë nacionaliste dhe kundër ligjit refuzojnë pranimin e migrantëve, azilkërkuesve apo refugjatëve.
Tani që në Itali është në fuqi një qeveri e moderuar, një ndryshim i kursit duket i mundshëm. Ministrja pa parti, Luciana Lamorgese do të rihapë portet italiane për anijet private të shpëtimit, për sa kohë është arritur një mekanizëm shpërndarjeje. Paraardhësi i saj, Matteo Salvini e kishte ngritur lart veten si shpëtimtarin e atdheut, sepse zbarkimin e të shpëtuarve në det e shtynte çnjerëzisht dhe e vështirësonte.
Kthesë në Romë dhe Berlin
Ministri i Brendshëm gjerman, Horst Seehofer, që para një viti pakt me Salvinin , e kuptoi, se gjendja kështu nuk shkonte. Aleati i tij i dikurshëm, Salvini mori shumë drejtimin e ekstremit të djathtë, këtë e pranon Seehofer sot.Edhe koncepti i BE – trembje, zhvendosje, kthim ka arritur limitet e tij.Çdo fundjavë bëhet pazar në konferenca telefonike në kryeqytetet europiane, kush e sa refugjatë do të pranojë. Për të ardhur turp e pa dinjitet.
Ndryshimin e qeverisë në Romë, Seehofer e shikon si shans për të nxjerrë nga qorrsokaku politikën e migracionit. Edhe nëse nuk e thotë, Seehofer ndryshoi 180 gradë kursin e tij, duke pranuar në Gjermani një kuotë të caktuar për migrantët nga vendet afrikane që vijnë përmes Mesdheut. Kjo vlen edhe për ata që shpëtohen në det, që përbëjnë pjesën më të vogël të migrantëve, vitin e kaluar gjithsej 2200 vetë. Shumica e migrantëve sot nuk vijnë në Itali dhe Malta, por në Greqi dhe Spanjë.
Kuota mund të gëzojë kontrabandistët
Përkrahësit e një politike të ashpër, argumentojnë, se veprimi i Salvinit pati një efekt të madh frikësues, si tek migrantët ashtu edhe tek kontrabandistët, të cilëve iu prish modeli i biznesit. Por çfarë do të ndodhë, nëse refugjetët fillojnë e shpërndahen me kuota? Do ta marrin gjithnjë e më shumë njerëz rrugën e rrezikshme të Mesdheut? Do të mbyten më shumë migrantë, sepse nuk do mund të shpëtohen dot të gjithë? A nuk duhet BE që të organizojë sërish shpëtimin në det? Për këto pyetje ministrat e Brendshëm në Malta nuk kishin ende një përgjigje. Por këto janë pyetje që duhen shtruar dhe duhet të marrin një përgjigje.
12 deri në 15 vende anëtare të BE duhet të bëhen për vete që të jenë pjesë e shpërndarjes së refugjatëve me kuota. Që kjo të arrihet, duhet të bëhet e qartë, që ata që nuk pranojnë asnjë refugjat duhet të paktën të paguajnë ose të tregojnë forma të tjera solidariteti. Kjo është deri tani një dëshirë e paqme e ministrit gjerman, Seehofer, por kaq, jo më shumë. Oferta e kuotës së pranimit për momentin është: 25% Gjermania, 25% Franca, 10% Italia. Por 40%-in tjetër kush e merr? Vërtet është kaq e vështirë? Në shifra të plota bëhet fjalë për disa qindra vetë në vit. Nuk po flet më kush për dhjetëra mijëra që marrin rrugën drejt Europës apo për një reformë bazë të sistemit europian të azilit./DW
Fraksion.com