Trump pranon se ka biseduar për djalin e Joe Bidenit me Selenskyjn
Presidenti amerikan, Donald Trump ka pranuar, se ka biseduar me kreun e shtetit ukrainas për rivalin, Joe Biden, një ndër kandidatët demokratë për garën presidenciale, dhe djalin e tij.
Sipas raportimeve në media, më 25 korrik, Trump kishte telefonuar me presidentin ukrainas, Volodymyr Selenskyj dhe i kishte kërkuar të mblidhte informacione kompromentuese për djalin e Biden, Hunter. “Wall Street Journal” shkruan, se presidenti amerikan është përpjekur “tetë herë” të përmendë aktivitetet e Hunter Biden. Ky i fundit kishte punuar për një koncern ukrainas të gazit në kohën që Biden ishte zëvendëspresident. Për këtë qëllim, Trump i ka kërkuar me gjasë Selenskyjt të bashkëpunojë me avokatin e tij, Rudy Giuliani. Në këtë koncern dyshohet se ka pasur raste korrupsioni. Giuliani ka pranuar në fundjavë, se një telefonatë e tillë është zhvilluar.
“Keqpërdorim i jashtëzakonshëm i pushtetit”
Joe Biden është aktualisht kandidati më me shanse i demokratëve për të dalë garën në presidenciale në nëntor 2020 kundër Donald Trumpit. Politikani demokrat e ka akuzuar Trump për “keqpërdorim të jashtëzakonshëm të pushtetit” dhe ka kërkuar publikimin e telefonatës siç ka qenë zhvilluar. Lidhur me këtë presidenti ka thënë: “Shpresoj që të publikohet.” Nuk kam bërë asgjë të gabuar, ka siguruar Trump.
Fraksion.com