“Ktheni fëmijët në normalitet”; Veliaj: Komunikoni thjesh për t’u shpjeguar çfarë ndodhi
Tirana i është kthyer normalitetit pas dy ditësh të tërmetit me magnitudë 5.8 që goditi vendin. Ndonëse pasgoditjet e tërmetit kanë vijuar me magnitudë më të ulët, situata paraqitet e qetë.
Por sigurisht ata që u tronditën edhe më shumë ishin fëmijët. Dhe në këto raste, është e rëndësishme që komunikimi kryesor të jetë me ta të cilët duhet të marrin sa më shumë informacion mbi fenomene të tilla, si dhe për mënyrën se si duhet të sillen kur ka lëkundje toke.
Ky është edhe mesazhi që kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ka përcjellë mëngjesin e sotëm për të gjithë banorët e kryeqytetit, duke u bërë thirrje që t’i kthehen përditshmërisë dhe aktiviteteve argëtuese.
“Teksa vazhdojnë pas-goditjet e tërmetit, është shumë e rëndësishme që secili të komunikojë me fëmijët me fjalë të thjeshta për t’u shpjeguar çfarë ndodhi e për t’i kthyer në normalitet. #AlbaniaEarthquake .
Dilni shëtitje, luani apo shkoni në kinema me ta #TiranaStrong”, shkruan kryebashkiaku Veliaj.