“Jeta jetohet sot, e nesërmja s’është në dorën tonë”; Dom Gjergj Meta: Toka, universi ka ligjësitë e veta
Drejtuesi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta, ka reaguar pas frikës dhe gjendjes së krijuar nga tërmetet e fundit, të cilët prekën vendin tonë fundjavën që lamë pas. Ai shkruan në “Facebook” se parimi kryesor që duhet të ndiqet është ndarja e “ligjësisë së natyrës me atë të ligësisë njerëzore”.
Gjithashtu Dom Gjergj Meta nuk kurseu aspak kritikat ndaj atyre që përhapën panik, ndërsa theksoi se qytetarët duhet të marrin në dorë “universin njerëzor” dhe të lënë të qetë natyrën brenda ligjësive të saj.
Mesazhi i plotë:
Mos ta ngatërrojmë ligjësinë me ligësinë. Të dashur miq, pas kësaj fundjave plot panik, i ligjshëm pjesërisht, por pjesërisht i pajustifikuar, sidomos kur përhapet nga njerëz të papërgjegjshëm, ndjej t’ju uroj një javë të bukur.
Jeta jetohet sot. E nesërmja nuk është në dorën tonë. Ta lëmë natyrën në ligjësinë e saj e të mos e kompromentojmë me ligësinë tonë. Ne kemi në dorë të ndërtojmë marrëdhënie të mira me njëri-tjetrin: kjo është natyra jonë. Toka, universi ka ligjësitë e veta e i rregullon vetë. Po ta keni vënë re sot në mëngjes dielli ka lindur përsëri e toka rrotullohet rreth tij. E do të vazhdojë të jetë kështu.
Të marrim në dorë universin tonë njerëzor. Ne kemi në dorë ta bëjmë dashurinë forcën tërheqëse të këtij universi njerëzor, duke dashur Zotin dhe njëri-tjetrin. Kështu do të krijojmë komunitet solidar që kthehet në shpresë për të gjithë dhe kemi shumë nevojë, sidomos në çaste të vështira.
Lart zemrat e vazhdojmë rrugëtimin! Ditë të bukur
Fraksion.com