DW: Tërmeti; Hetohen gazetarë e portale për fake news
Në Tiranë kanë filluar hetimet për të zbardhur autorët dhe portale të medias sociale që publikuan lajmin se në orën 23.30 do të ndodhte një tërmet pasues apokaliptik prej 6 ballësh.
Lajmi në median sociale se do të ketë një tërmet apokaliptik ngjalli panik dhe kaos të madh tek qytetarët e Durrësit dhe Tiranës, që dolën në masë nga banesat e tyre, bllokuan trafikun duke qëndruar deri pas mesnatës jashtë.
Burime nga Policia e Shtetit , Tiranë, thanë sot (23.09) për DW se gazetarë të portalit “SYRI.net” gazetës ” Shekulli” janë shoqëruar mbrëmë në polici për të kryer veprimet përkatëse lidhur me “publikimin prej tyre të lajmit të rremë me pasojë panik dhe kaos tek qytetarët.” Në titullin e lajmit portali “SYRI.net” u bënte thirrje qytetarëve të dilnin nga shtëpitë e tyre.
Autoritetet e përgënjeshtruan lajmin diku afër mesnatës. Kryeministri Rama, që udhëton të hënën për një vizitë zyrtare në SHBA, udhëtim që e ndërpreu të shtunën e kaluar për shkak të tërmetit, e cilësoi lajmin jo vetëm „të rremë”, por edhe „kriminal, të prodhuar nga marrëzia e atyre që kërkojnë kaos dhe rrëmujë.”
Ministria e Mbrojtjes Olta Xhaҫka, në një konferencë shtypi afër mesnatës së mbrëmshme iu referua Kodit Penal të Shqipërisë, kur tha se „ kushdo që përhap njoftime të rreme që përhapin panik dhe pasiguri dënohet me burgim”. Sipas Kodit Penal autorët e lajmeve të tilla të rreme dënohen me 5 vjet burg.
Tërmet prej 3.8 ballësh pak pas mesnate
Që lajmi për tërmet apokaliptik ishte i rremë u vërtetua. Tërmeti i supozuar apokaliptik prej 6 ballësh nuk ndodhi. Ashtu si pohuan ekspertët sizmologë vendas lëkundjet pas tërmetit 5,8 ballë të shtunën e kaluar vijuan. Pak minuta pas mesnate, sot në orën 00:03, u regjistrua një tërmet prej 3,8 ballë, me epiqëndër 3 km larg Fushë Krujës dhe 21 km larg Tiranës, për të cilin nuk ka ende informacione për dëme materiale.
Autoritetet e Tiranës, kryeministri Rama dhe Presidenti Meta përmes mediave sociale u bënë të hënën në mëngjes thirrje qytetarëve të Durrësit dhe Tiranës t’i kthehen jetës së tyre normale dhe theksuan që banesat e dëmtuara do të riparohen sa më parë.
Numri i tyre është 3 fishuar në mbrëmjen e të dielës. Autoritetet bëjnë me dije se kanë evidentuar 900 banesa të dëmtuara nga 293 që u konstatuan të dielën paradite. Pas tërmetit të 5.8 ballësh të 21 shtatorit, shërbimet sizmologjike të vendit dhe ndërkombëtare kanë regjistruar 350 pas goditje tërmeti, me magnitudë më të ulët dhe dy më të fortë: njëra pas mesnatës së 21 shtatorit, tjetra mbrëmë afër Fushë Krujës.
Fraksion.com