AktualitetTë fundit

Çako: Lajmi i rremë krijoi panik të madh, ja fazat që do ndiqen deri te dëmshpërblimi

Kreu i Emergjenca Civile, Haki Çako, theksoi në rubrikën “Opinion”, në News24, se mbrëmjen e kaluar pati një sërë telefonash nga qytetarët, të cilët kërkonin informacion pas shpërndarjes së lajmeve të rreme se do të ketë një tërmet të fuqishëm 6 ballësh në orën 23:30.

Çako tha se paniku i këtij lajmi përfshiu të gjitha kategoritë shoqërore, të cilat sipas tij, ndonëse iu komunikua që ishte spekulim, braktisën banesat dhe dolën jashtë nga frika.

“U krijua një situatë paniku, që përfshiu të gjitha kategoritë shoqërore. Shumë qytetarë iu drejtuan telefonave, duke kërkuar informacion më shumë. Ndonëse u munduam të sqaronim se ishte një spekulim, rasti konkret krijoi një panik të madh te qytetarët, që braktisën banesat e tyre dhe dolën në shesh.

Ndaj dhe ministrja e Mbrojtjes, së bashku me ekspertin, sqaruan mbrëmë, duke thënë se është e pamundur që të parashikohet një fenomen i tillë. Nga të gjitha komunikimet me ekspertët, në mënyrë kategorike nuk ka mundësi për parashikim të një tërmeti të mundshëm, as për kohën dhe as kapacitetin”, tha Çako.

Më tej, kreu i Emergjencave shpjegoi edhe fazat që po ndiqen në terren nga grupet e punës, të cilët pas komunikimit me qytetarët e prekur nga tërmetet, do të vijojnë me vlerësimin e dëmeve të shkaktuara, për të shkuar më pas te dëmshpërblimi.

Ku ishit kur ndodhi tërmeti i fuqishëm?

Isha me shërbim larg rrezes së tërmetit, nuk e kam ndjerë, por kontaktet që kam pasur me bashkëpunëtorët, ata kanë qenë shumë të shqetësuar. Sqaroj se Shqipëria prej disa kohësh është karakterizuar nga një sërë lëkundjes sizmike, sepse jemi një zonë e rriskuar, duke pasur parasysh edhe kufirin me Greqinë, Detin Jon dhe Adriatik, që janë në zonë të kuqe. Mund të përmendim tërmetin e Dibrës, tërmetet e Korçës, por edhe të tjerë. Më duhet të sqaroj se lëkundjet për post goditjes së parë janë normale, derisa shkon në një fazë qetësie sizmike.

Kur morët lajmin, cili ishte mobilizimi juaj?

Është bërë praktikë, funksionon një komunikim ndërinstitucional me të gjitha strukturat e tjera vendore. I gjithë sistemi i mbrojtjes civile ka funksionuar shumë shpejt, duke komunikuar e marrë kontakt me të gjitha strukturat në prefektura. Theksoj se për fat të mirë nuk pati asnjë qytetar të dëmtuar rëndë, me përjasthim të 160 qytetarëve, që janë paraqitur në qendra shëndetësore me dëmtime të lehta, shumica nga panika apo lëvizjet e shpejta. Kanë qenë dëmtime, që nuk mund të konsiderohen të rënda.

Faza e dytë, më e rëndësishmja dhe e vështira. Pse është kaq e vështirë kjo fazë, nuk mblidhni dot informacionin për dëmet që shkakton tërmeti?

Janë më të vështira fazat që pasojnë për strukturat tona. Fakti konsiston në detyrimin për të qenë më pranë qytetarëve. Ata kthejnë kokën nga ekonomia dhe këtu është momenti më kritik. Ne jemi të detyruar të jemi prezent, pasi do duhet t’iu vijmë në ndihmë qytetarëve për të evidentuar të gjitha dëmet që janë shkaktuar. Janë faqza që kërkojnë dhe investim financiar.

Shteti ka qenë i gjithi në këmbë, dje janë marrë kontakte me familjarët. Janë kontaktuar nga 62 grupe, me ekspertë, me inxhinierë dhe personalitete të tjerë, që kanë ofruar ngrohtësinë e shtetit dhe gatishmërinë për t’i kompensuar. Pas saj, do fillojë faza e tretë, që është më e rëndësishmja, e që ka të bëjë me grupet e vlerësimit, që do bëjnë vlerësimin e përcaktimit ligjor të dëmit me ekspertë, ku më pas do vijë dhe shpërblimi. Tirana dhe Durrësi kanë qenë zonat më të prekura.

Pati njerëz që shkuan në qendrat pritëse mbrëmë?

Pati një numër të konsiderueshëm të qytetarëve që iu drejtuan këtyre qendrave në orët e para të darkës, por më pas ata u qetësuan dhe një pjesë e vogël qëndruan aty.

 

Fraksion.com