AktualitetBota+Të fundit

Udhëheqësit Talebanë vizitojnë Kinën

Një delegacion i Talebanëve të Afganistanit ndodhet në Kinë ku mbajti bisedime me zyrtarë të lartë të dielën, për të diskutuar mbi bisedimet e dështuara të paqes së grupit me Shtetet e Bashkuara.

Vizita bëhet dy javë pasi presidenti amerikan Donald Trump anuloi papritur bisedimet disa mujore të paqes, duke përmendur si arsye sulmet e vazhdueshme vdekjeprurëse të Talebanëve në Afganistan.

Dy kundërshtarët besohej se ishin në prag të nënshkrimit të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund luftës 18 vjeçare afgane para se zoti Trump ta shpallte procesin e paqes “të vdekur”.

Zëdhënësi i Talebanëve, Suhail Shaheen tha se delegacioni me nëntë anëtarë shkoi në Pekin, nën udhëheqjen e Mullah Baradarit, kreu i zyrës politike të grupit në Katar, ku u mbajtën bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Talebanëve.

Delegacioni e filloi vizitën me një takim të dielën me të dërguarin e posaçëm kinez për Afganistanin, Deng Xijun, tha zëdhënësi i Talebanëve.

“Përfaqësuesi i posaçëm kinez tha se marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Talebanëve, është një kornizë e mirë për zgjidhjen paqësore të çështjes afgane dhe ata e mbështesin”, tha Shaheen.

Ai citoi Baradarin t’i thoshte zyrtarit kinez se Talebanët ishin iniciatorët e bisedime me Shtetet e Bashkuara dhe se ishte arritur në një “marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

“Nëse presidenti amerikan nuk është në gjendje të mbajë fjalën dhe premtimet e tij, atëherë përgjegjësia për shkatërrim dhe gjakderdhje të mëtejshme në Afganistan është mbi shpatullat e tij”, tha Baradar.

Zyrtarët kinezë nuk kanë komentuar ende për takimet me delegacionin Taleban.

Para vizitës në Kinë, Talebanët kishin dërguar përfaqësuesit e vet politikë në Rusi dhe Iran, për të diskutuar zhvillimet që rodhën pasi Presidenti Trump anuloi bisedimet./VOA

 

Fraksion.com