AktualitetTë fundit

1 mln dollarë për të prekurit nga tërmeti, Këshilli Bashkiak i Tiranës miraton fondin

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot pasdite vendimin për fondin 1 milion dollarë për t’u ardhur në ndihmë të gjithë familjeve të prekura nga lëkundjet e tërmetit një ditë më parë.

Në mbledhjen e jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deklaroi se 20% e fondit (200 milion lekë) do të shkojë në formë solidariteti për qytetin e Durrësit, i cili po ashtu u prek nga tërmeti.

“Sot po kalojmë një fond prej 1 milion dollarësh të ndarë 80% për qytetin e Tiranës, por në mënyrë simbolike vendimi i parë është për 20% të këtij fondi, pra 200 milionë lekë, për qytetin e Durrësit, në ndihmë të koleges sonë atje, që ka një sfidë akoma më të madhe. E fillon mandatin me një sfidë të jashtëzakonshme, me tërmet në qytetin e saj, kështu që do të doja shumë që t’i gjendeshim pranë Valbonës dhe vëllezërve e motrave në Durrës”, theksoi Veliaj.

Ndërkaq, nisur nga situata, Bashkia e Tiranës miratoi me urgjencë edhe dy vendime të rëndësishme që u vijnë në ndihmë njerëzve në vështirësi ekonomike. Kështu, pagesat për muajin shtator për të gjithë njerëzit me aftësi të kufizuar dhe ata që marrin pagesa nga fondi 6% për ndihmën ekonomike do ta marrin atë më parë.

“Nga nesër të mundësojmë lëvrimin e fondeve; jo vetëm kaq, por kemi futur në këtë projekt edhe pagesën për personat me aftësi të kufizuar, 1 deri më 30 shtator, dhe ndihmën ekonomike, sepse nuk ja vlen të presim fundin e muajit, le t’i kalojmë ndihmat më shpejt”, theksoi ai.

 

Fraksion.com