AktualitetTë fundit

Tërmeti, 109 banesa dhe 7 pallate të dëmtuara, dhjetra të lënduar

Tërmeti i fortë që goditi sot pasdite vendin, pak pas orës 16.00, ka shkaktuar dëme në të paktën 109 banesa dhe 7 pallate kryesisht në Tiranë dhe Durrës, dy qytetet që ishin dhe më pranë epiqendërs, në Detin Adriatik, 30 kilometra në veri të Durrësit.

Sipas të dhënave të para zyrtare paraprake, të bëra të ditura nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, deri rreth orës 20.00, “raportohet për 68 persona të lënduar, por në të gjitha rastet bëhet fjalë për lëndime të lehta, që kanë ardhur kryesisht si pasojë e situatës së frikës që kanë përjetuar qytetarët në momentin e tërmetit, dhe pasi kanë marrë trajtimin mjekësor, janë larguar sërish për në banesat e tyre. Disa prej të lënduarve janë asistuar nga ekipet mjekësore të ambulancave pranë vendeve të tyre të banimit”. Më vonë, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, tha se numri i atyre që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, shkon mbi 100.

Sipas zonjës Xhaçka, dëmet në banesa e pallate “në pjesën dërrmuese bëhet fjalë për krisje të mureve apo dëme të tjera të këtij niveli ndonëse në ditët në vijim serioziteti i këtyre dëmtimeve do të verifikohet nga grupet e ekspertëve në terren”. Nuk kanë munguar megjithatë dhe raste si ai në Fakultetin e Gjeologjisë në Tiranë, ku gurët dhe tullat e fasadës janë shkëputur duke shkatërruar plotësisht dy makina që ishin parkuar pranë godinës.

Lëkundja e parë e fortë e tërmetit “më i madhi i rregjistruar në 30 vitet e fundit”, sipas sismiologëve, u pasua me dhjetra të tjera me një intensitet më të ulët. Kryesisht në Tiranë e Durrës, qytetarët përjetuan frikë e panik për orë të tëra. Ata kanë dalë me shpejtësi na banesat e tyre për të qëndruar në rrugë e sheshe. Në fakt një pjesë e mirë e të plagosurve, janë lënduar pikërisht në ikje e sipër me nxitim, për të dalë nga banesat e tyre. Në një rast, një person ka pësuar frakturë të këmbës pasi është hedhur nga kati i dytë i banesës, ndërsa një tjetër, është përplasur nga një makinë ndërsa tentonte të kalonte rrugën me shpejtësi.

Strukturat e emergjencave civile, policisë, zjarrfikëseve, si dhe strukturat shëndetësore, kaluan menjeherë në gatishmëri. Kryeministri Edi Rama i cili ndodhej në Frankfurt, në pritje për të udhëtuar drejt Nju Jorkut ku do merrte pjesë në asamblenë e Kombeve të Bashkuara, njoftoi anullimin e udhëtimit dhe kthimin në atdhe. “Në orën 23.30 Kryeministri ka thirrur një mbledhje të qeverisë për të koordinuar punën e të gjithë strukturave vendore dhe qendrore për përballimin me gatishmëri të plotë 24 orë në ditë të pasojave të tërmetit”, njoftoi ministrja Xhaçka.

Presidenti Ilir Meta nga ana e tij, vizitoi prefekturën e Durrësit për të parë nga afarë gjendjen dhe për të diskutuar me autoritete vendore për situatën dhe masat e marra.

 

Fraksion.com