AktualitetPolitikëTë fundit

Tahiri: Reagimi i SHBA, presion ndaj gjyqtarëve; Nuk mbaj letra kërcënuese ne xhep (VIDEO)

Drejtësi jo të plotë e quajti ish-ministri i Punëve të Brendshme, Simir Tahiri, dënimin e dhënë nga Gjykata për Krime të Rënda, dy ditë më parë. Në komunikimin  e parë për mediat pasi gjykata e dënoi për shpërdorim detyre duke i rrëzuar dy akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, ish-ministri tha se sapo të dalë vendimi i zbardhur i Gjykatës, do ta apelojë atë për të çuar deri në fund betejën e tij të drejtësisë. Mbërriti i vetëm në hotel “Rogner” ku dha konferencën, me letrën e deklaratës në duar, ndërsa ju përgjigj edhe pyetjeve të gazetarëve.

“Ishte një gjysmë lajm i mirë për mua, gënjeshtrat morën një përgjigje, edhe pse as e plotë dhe as përfundimtare. Nuk është drejtësi e plotë, beteja për të vërtetën time ndaloi dje vetëm në stacionin e parë dhe ka plot rrugë përpara. Do më duhet shumë punë për të bindur edhe ata që nuk e kanë kuptuar sesa të pavërteta janë thënë deri tani”, u shpreh ish-ministri.

Qëndrimet e ashpra të ambasadës së Shteteve të Bashkuara  në Tiranë dhe asaj britanike, që e quajtën shkurajues faktin që ish-ministri u dënua vetëm për shpërdorim detyre përballë akuzave të rënda që prokuroria kishte ngritur ndaj tij, Tahiri i quajti presion të hapur ndaj gjykatës.

Dekurajuese edhe për mua që i dëgjova ato deklarata. Nuk është në kulturën time të flas për vendimin e gjykatave, e nuk e besoj ndodh dhe në Amerikë që një ambasadë flet mbi nje vendim gjykate, e nuk e besoj që mund të ekzistojë ndonje presion me i madh mbi gjyqtaret se sa ky“, tha Tahiri.

E ardhmja politike nuk është në prioritetet e tij të afërta, pasi e gjithë vëmendja e tij është përqendruar për të çuar deri në fund të vërtetën e tij. Por Tahiri la të kuptuar se rikthimi në politikë, jo detyrimisht është në PS, në qeveri apo në poste të caktuara. Kështu, ish-ministri në mënyrë jo të drejtpërdrejtë flet për mundësinë e rikthimit në jetën politike shqiptare me një parti të re.

“Më vlen më shumë drejtësia se sa partia. Sa i takon rikthimit tim ne politike ose nuk e di pse e keqkuptoni sikur patjetër rikthimi eshte ne qeveri ose ne qeverisje. Nuk do të thotë të kesh një karrige që të rikthehesh me një kontribut të caktuar në publik. Se çdo të bëj me karrierën time dhe me jetën time, këtë nuk e ka në dorë as partia as cilido individ brenda asaj partie, e kam në dorë vetëm unë”, tha Tahiri.

Zgjodhi të mos komentojë vendimin e Gjykatës duke pritur zbardhjen e tij, por tha se u dënua vetëm sepse disa kushërinj të tij i kishin përmendur emrin. E quajti fat që u hetua nga drejtësia italiane e cila i pushoi hetimet ndaj tij duke mos faktuar në asnjë rast lidhjen e ish-ministrit në trafik droge me Mojsi Habilajn që e përmendte në përgjimet ambientale.

Tahiri u shpreh se është i bindur që nuk e ka shpërdoruar detyrën pasi si ministër i Brendshëm ka bërë gjithçka për të luftuar kultivimin e kanabisit në Shqipëri duke evidentuar goditjen që u bë në Lazarat. Përmendi edhe ish-ministra e ish-kryeministra, Lulzim Bashën, Sali Berishën e Fatmir Mediun, që nuk u akuzuan kurrë për shpërdorim detyre kur në kohën e tyre u vranë 4 njerëz më 21 janar, dhe vdiqën 28 veta nga shpërthimi në Gërdec.

Gjykata shpalli të pafajshëm Saimir Tahirin për akuzat e prokurorisë për trafik droge dhe grup të strukturuar kriminal, duke e shpallur fajtor vetëm për një akuzë të re të ngritur prej saj, për shpërdorim detyre. Kështu, Tahiri u dënua për këtë vepër me 5 vite burg, por që me gjykim të shkurtuar arrin në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim Gjykata e konvertoi në shërbim prove 3 vite me kusht për të mos kryer vepër tjetër penale brenda kësaj periudhe. Sipas vendimit, Tahiri për 3 vite nuk duhet të kryejë funksione publike. Me këtë vendim, ish-ministri i Brendshëm nuk kryen asnjë ditë burg. Ish-ministri i Brendshëm tha se sot se ende nuk është paraqitur në shërbimin e provës, pasi vendimi bëhet efektiv kur është përfundimtar.

 

Fraksion.com