Tahiri, e megjithatë një kurban i nevojshëm
Nga Ben Andoni
Ish-ministri Sajmir Tahiri nuk ka bërë ndonjë Mea Culpa në konferencën e fundit për shtyp dhe për të ka bindje se edhe nuk ka pse ta bëjë. Më saktë nuk do ta bëjë as edhe njëherë. Kur e dëgjoje zyrtarin më të suksesshëm të shpurës socialiste, bindeshe se ndarja e tij me politikën ishte e madhe, por ndërkohë dhe gjuha e tij e koduar la të nënkuptojë se Tahiri di shumë gjëra, të cilat në kohë të nevojshme do t’i përdorë. Ose më saktë do t’i hedhë si shfajësim apo mbase dhe si ndjenjë mase. Kundër familjes së tij politike, me gjasa fillimisht por edhe me radhë. Kjo e provon fakti kur ai po artikulonte për fikjen e Radarëve, një aspekt që e implikonte direkt Ministren Kodheli; apo faktin e mungesës së moralit politik për ministrat me vëllezërit e dënuar, një aluzion i qartë për ish-ministrin Xhafa. Gjithsesi të gjitha këto nuk mjaftojnë, pasi ish-ministri që duket se shumë e duan të gjithë kurban për të futur kokën vetë si struci dhe të shpëtojnë, i duhet të mendojë për fatin e tij. Sajmir Tahiri është vetëm, pasi tani është realisht kurban. I braktisur. I mënjanuar. Sikur të mos ketë qenë asnjëherë.
Anipse, nga ky fakt, i gjithë faktori politik shqiptar, veço sidomos disa eksponentë të Opozitës, ka moralin më të pakët të kënaqet, pas katrahurës së Gërdecit dhe abuzimeve të rrugës së Kombit. Ndaj, politika është shprehur e kënaqur me prononcimet e dy Ambasadave, asaj Amerikane dhe atë Angleze që kanë artikular qartë pakënaqësinë direkte për vendimin, por edhe një lloj inkurajimi për Reformën nëpërmjet këtij vendimi të zbehtë, që nuk bindi por kënaqi shumë faktorë e që shtroi një udhë për gjërat që priten më pas. Është ky presion, pikërisht, që do të ndikojë edhe në vendimet e tjera të Gjykatave dhe që ish-Ministri e di mirë, koka e tij është e servirur për kurban.
Drejtësia në Shqipëri me vendimin e fundit ka vendosur një standard për të cilën nuk duhet të jenë të kënaqur shumë zyrtarë, atë të shpërdorimit të detyrës ose më saktë paeficencës së kryerjes së saj gjatë kohës në pushtet. Dhe, mbrojtja e Tahirit, me gjithë talentin e tij të lindur, shtuar me përshfaqjen e punës së pamohueshme dhe akoma edhe me mbrojtjen tepër profesionale, nuk ka mjaftuar. Reforma duket se do të marrë përsipër, në shembullin e tij, të dënojë shumë personazhe, paçka pamjaftueshmërisë së provave dhe kaosit të prokurorisë dhe pavendosmërisë së Gjykatave.
Në këtë hulli, duket se Socialistët janë më të kënaqur pasi po fillojnë të gëzojnë provat që u duhen politikisht të shpëtojnë mandatin e tyre por edhe t’i paraqesin para të huajve për Hapjen e Negociatave, ndërkohë që Opozita mund t’i kënaqet zbehtë luftës së madhe që bënë dhe që arriti tek e fundit në një përfundim. E pa-normale, duket tani braktisja që PS i ka bërë njërit prej prurjeve më të mira të tyre në këto dy mandate. Kjo ishte arsyeja që Tahiri ua plasi troç kolegëve: “Më vlen më shumë drejtësia sesa partia. Më keni trembur sa herë më keni pyetur “a do bëhesh kurban?”, dhe më keni fyer. Kurban nuk do të thotë të shkosh në burg, por të mos jesh i lirë. Në Parlament dhe politikë ka njerëz kurban sepse kanë frikë të flasin. Ka kurban sa të duash sot nga ata që qeverisin. Ata janë kurban, por unë jo”.
E kupton apo jo Tahiri, ai është realisht kurban në të gjitha aspektet dhe ka të ngjarë të marrë një dënim të njëjtë në Apel (Ambasadat jo rrallë herë diktojnë e paraprijnë, për të mirë apo të keqen tonë), për të mos thënë të rëndohet, ndërkohë që nëpërmjet tij është hapur mundësia por edhe risia për koka të tjera, që e “kanë shpërdoruar” detyrën. Berisha, Basha, Mediu, por edhe një arradhë e tërë nga PS-ja duhet të mendojnë qartë për të ardhmen e tyre, nëse vërtetë do të kenë një të tillë. Kjo i bën shumë njerëz të politikës që po i kënaqen kinse kurbanit Tahiri “t’i gëzohen momentit”, por jo vazhdimësisë, që parashikohet i hidhur. Të paktën dhe nga ky zgjim ende i topitur i Drejtësisë shqiptare. Kështu Tahiri, nuk mund të bënte dot një Mea Culpa, ai është përballë një standarti që po vendos me shumë pasiguri prej momentit Drejtësia e vendit dhe që ai është shembulli i hidhur. /Javanews
Fraksion.com