Ministri i Jashtëm i Ukrainës: Trump nuk i ka bërë presion Zelenskiy-t
Presidenti amerikan Donald Trump tha të shtunën se ai nuk ka thënë ndonjë gjë të gabuar gjatë një bisede telefonike që ka patur me presidentin e ri të Ukrainës. Sipas njoftimeve në media zoti Trump i ka kërkuar Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy të hetojë djalin e ish-nënpresidentit amerikan Joe Biden, i cili po konkuron për të qenë kandidati i demokratëve për zgjedhjet e vitit 2020.
Ndërkohë demokratët i kanë përforcuar kritikat ndaj presidentit për atë që ata e shohin si një përpjekje për të përfshirë një udhëheqës të huaj në një skemë për të dëmtuar kandidaturën e rivalit kryesor të zotit Trump në fushatën presidenciale.
Në një postim në twitter të shtunën në mëngjes zoti Trump shkruante se ai kishte zhvilluar një “bisedë normale e rutinore” më 25 korrik me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskiy dhe se “nuk kishte thënë asgjë të gabuar”.
Zoti Trump akuzoi demokratët dhe median se kanë injoruar pretendimet kundër zotit Biden dhe se kanë krijuar një histori të rreme për të.
Sipas njoftimeve në media që i referohen personave që kanë dijeni mbi çështjen zoti Trump i kërkoi zotit Zelenskiy rreth tetë herë gjatë bisedës, që të hetohet djali i zotit Bidenit. Të njëjtat burime thonë se qëllimi i zotit Trump ishte që zoti Zelenskiy të bashkëpunonte me avokatin e tij, Rudolph Giuliani për një hetim që mund të minonte zotin Biden.
Ministri i Jashtëm ukrainas Vadym Prystaiko i mohoi shtunën njoftimet në media se zoti Trump i kishte bërë presion zotit Zelenskiy gjatë bisedës telefonike. Ai tha rrjetit televiziv ukrainas Hromadski se Ukraina nuk mban anë në politikën amerikane.
Zoti Trump dhe zoti Guiliani kanë kërkuar me javë të tëra një hetim të zotit Biden bazuar në njoftimet në shtyp gjatë këtij viti, që pretendojnë se një kompani energjitike ukrainase është përpjekur të sigurojë ndikim në SHBA, duke punësuar djalin e vogël të Bidenit, Hunter.
Demokratët e kanë dënuar atë që ata e shohin si një përpjekje të bashkërenduar për të dëmtuar zotin Bidenin./VOA
Fraksion.com