AktualitetTë fundit

613 kg kokainë; Arrest me burg për Arbër Çekajn

Arbër Çekaj i arrestuar për sasinë prej 613 kg kokainë e ka pritur i buzëqeshur vendimin e gjykatës që e la në burg deri në përfundim të hetimeve.

Vetëm dy ditë pas ekstradimit nga Gjermani, Çekaj u njoh me masën e sigurisë në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ai u arrestua në Frankfurt në Maj të vitit të kaluar, pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon për trafikim të lëndëve narkotike dhe grup të strukturuar kriminal.

Çekaj përmes avokatit të tij mbrojtës ka mohuar akuzat dhe kërkoi një masë më të lehtë sigurie se ajo me burg. Gjatë seancës, pala mbrojtëse pretendoi se operacioni për kapjen e kokainës në Shkurt të 2018-tës është kryer qëllimisht për të prishur provat.

“Policia dhe Prokuroria nuk duhet të kishin ndërprerë operacionin në mes. Konteineri duhet të ishte kontrolluar kur të dilte nga magazina. Arbër Çekaj kishte porositur banane, të cilat janë certifikuar nga firma kolumbiane si të pastra pa asnjë përbërje narkotikësh”.

Për sasinë prej 613 kg kokainë janë arrestuar edhe shoferi i kamionit që transportonte konteinerin me banane Armando Pezaku dhe menaxheri i firmës ‘Arbi Garden’, Donaldo Lushaj. Këta të fundit kanë mohuar të kenë patur dijeni për sasinë e drogës, por vazhdojnë të hetohen nën masën e arrestit me burg.

 

Fraksion.com