55 mijë euro për bileta dhe udhëtime; Lëvizjet e shpenzimet e Metës jashtë vendit
Shifra konkrete për lëvizjet e Presidentit të Republikës Ilir Meta jashtë vendit, duke përfshirë biletat e avionit, dietat dhe shpenzimet për hotelin. Presidenti ka zgjedhur t’i përgjigjet saktë dhe qartë interesimit të mediave që kanë kërkuar nga Institucioni i Presidentit të Republikës detaje lidhur me lëvizjet në udhëtime zyrtare jashtë shtetit për periudhën janar 2018 – qershor 2019 dhe destinacionet; numrin e udhëtimeve dhe klasin etj.
Presidenca ditën e sotme ka publikuar disa shifra ku sipas tyre pretendohet se janë shpenzimet që Presidenti meta ka kryer gjatë viteve që ka qenë në këtë pozicion politik. Në këto shifra sipas njoftimit përfshihen biletat e avionit, dietat dhe shpenzimet për hotele.
Sipas njoftimit të Presidencës, ky publikim ka ardhur si përgjigje për interesimin e mediave në lidhje me shpenzimet e Metës jashtë vendit për periudhën janar 2018 – qershor 2019 dhe destinacionet; numrin e udhëtimeve dhe klasin etj. Por Meta nuk është mjaftuar vetëm me përgjigjen për periudhën që mediat janë të interesuara dhe ka publikuar një listë për gjatë viteve 2017-2019.
Në njoftim thuhet se vetëm për bileta udhëtimi janë shpenzuar 55 757 euro, ku kryesisht presidenti ka bërë udhëtimi të shtrenjta ‘Business Class’. Me këtë klas udhëtimi Meta ka bërë 26 udhëtime.
Njoftimi i plote i Presidencës:
Në përgjigje të interesimit të mediave, që kanë kërkuar nga Institucioni i Presidentit të Republikës detaje lidhur me:Sa herë ka lëvizur Presidenti i Republikës, në udhëtime zyrtare jashtë shtetit për periudhën janar 2018 – qershor 2019 dhe në cilat destinacione?
Sa ka qenë kostoja e secilit prej udhëtimeve, bileta, akomodim, dieta?
Sa kanë qenë gjatë kësaj periudhe, zëri në buxhet për udhëtime jashtë vendit?
Sqarojmë se:
Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta, nga marrja e detyrës në 24 korrik 2017, deri në gusht të vitit 2019 ka realizuar: 59 vizita shtetërore, zyrtare dhe pune jashtë vendit, nga të cilat 36 prej tyre me avion. Nga 36 udhëtimet me avion, Presidenti Meta nuk ka udhëtuar asnjëherë me First Class apo Charter. Presidenti ka udhëtuar kryesisht me Business Class (26 udhëtime), por edhe me Economic Class (10 udhëtime), vlera e të cilave në vite është si më poshtë:
Për vitin 2017: 7156 euro (bileta avioni)
Për vitin 2018: 24384 euro (bileta avioni)
Për vitin 2019: 24217 euro (bileta avioni)
Udhëtimi kryesisht në Business Class është zgjedhur si mundësi për udhëtim të sigurtë, që garanton fleksibilitetin e ndryshimeve të itinerareve të udhëtimit për shkak të axhendës, pa paguar kosto shtesë, si dhe ka garanci të plotë në transferimin e bagazheve.
Gjatë viteve 2017, 2018 dhe 2019, Presidenti i Republikës ka qëndruar në total 141 ditë jashtë vendit. Vlera totale e trajtimit financiar me dietë të përfituara për 141 ditët e qëndrimit jashtë vendit ka qenë në vlerat: 12600 euro dhe 4260 USD. Trajtimi me dietë i Presidentit të Republikës realizohet në zbatim të Vendimit të Këshillit të Ministrave Nr.870, Datë 14.12.2011 “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit”, Lidhja 1.
Nga 59 vizita shtetërore, zyrtare dhe pune që Presidenti i Republikës ka realizuar jashtë vendit, vlera totale e shpenzuar për akomodimin në hotel jashtë vendit nga buxheti i Institucionit të Presidentit është në vlerën 19322 euro.
Akomodimi në hotel realizohet në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr.870, Datë 14.12.2011 “Për trajtimin financiar të punonjësve që dërgohen me shërbim jashtë vendit”, pika 9, gërma a. Kryesisht rezervimet në hotelet jashtë vendit janë realizuar në bashkëpunim me përfaqësitë tona diplomatike jashtë vendit.
Fraksion.com