AktualitetTë fundit

Vrasja e Azem Hajdarit; Dosja e Izet Haxhisë i kalon Krimeve të Rënda

Gjykata e Tiranës shpalli moskompetencën për çështjen e Izet Haxhisë dhe kaloi dosjen në Gjykatën për Krime të Rënda, ku pritet të bëhet rigjykimi.

Ishte prokuroria që në një seancë më parë kërkoi nga Gjykata shpalljen e moskompetencës, për shkak se vrasja e funksionarëve publik, tashmë hetohet dhe gjykohet nga Krimet e Rënda.

Avokati Idajet Beqiri dhe vetë Izet Haxhia thanë në seancë që e linin në dorë të gjykatës, duke mos shprehur kundërshti ndaj kërkesës, ndersa avokati tjetër i Haxhisë, Bashkim Nikolla,tha se dosja nuk duhet të largohet nga Gjykata e Tiranës.

Pasi u tërhoqën për rreth një orë, treshja gjykuese vendosi të pranojë kërkesën e prokurorëve.

Kjo dosje pritet të kalojë në SPAK, pasi vetë Krimet e Rënda do të funksionojnë edhe pak ditë duke u transformuar më pas në Prokurorinë e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Me ngritjen e SPAK, Prokuroria e Krimeve të Rënda pushon së funksionuari po ashtu edhe Gjykata e Krimeve të Rënda e cila kthehet në Gjykatën e Posaçme, shkruan shqiptarja.com.

Izet Haxhia ka qenë truprojë e Sali Berishës, deri në vitin 1998 gjatë kohës që Berisha ka mbajtur postin e Presidentit të Republikës. Ai është dënuar në mungesë me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e ish-deputetit të Partisë Demokratike, Azem Hajdari. Pas vrasjes së Hajdarit, Haxhia u arratis për të qëndruar afro dy dekada në Turqi nga ku dhe u ekstradua më 8 Maj 2018.

Pas mbërritjes në Tiranë ai kërkoi rivendosje në afat dhe rigjykim, kërkesa të cilat u pranuan dhe procesi ndaj tij është rihapur.

 

Fraksion.com