Vendimi për Tahirin, Soreca: Dua të shoh dosjen
Ambasadori i Bashkimit Europian në Tiranë, Luigi Soreca është shprehur sot se duhet më parë ta lexojë plotësisht vendimin e gjykatës për ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe më pas mund të japë një deklaratë për të.
I pyetur nga gazetarët për vendimin e gjykatës për ish-ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, pas një aktiviteti për censusin ku mori pjesë, Soreca deklaroi se, “Eksperienca ime si ish-Prokuror më shtyn të lexoj vendimin e plotë përpara se të bëj një deklaratë. Më lejoni që ta lexoj dhe më pas të bëj një deklaratë”.
Gjykata e Krimeve të Rënda ka rrëzuar mbrëmjen e së enjtes akuzat e prokurorisë ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri për tre vepra penale: “trafikim i narkotikëve” në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal, “kryerja e veprave penale nga organizata kriminale”, “grup i strukturuar kriminal”.
Trupa gjykuese e përbërë nga Ardit Mustafa, Irena Gjoka dhe Flora Hajredinaj vendosi sot që Tahiri të dënohet me 5 vite heqje lirie për akuzën e “shpërdorimit të detyrës”. Gjykata vendosi ta konvertojë këtë dënim në 3 vite shërbim prove, periudhë në të cilën nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Po ashtu, për 5 vite, ish-ministri nuk duhet të kryejë funksione publike.