Vendimi për Tahirin; Reagon PS: Çështje e drejtësisë
Partia Socialiste nuk ka preferuar të bëjë një koment të gjatë për vendimin e dhënë nga gjykata për Saimir Tahirin. Elisa Spiropali zëdhënëse e kryesisë, njëherazi drejtuesja politike e qarkut Tiranë, thotë se e gjitha kjo s’është një çështje partie.
E pyetur nga mediat ajo është shprehur se “vendimi i gjykatës për Saimir Tahirin është çështje e drejtësisë, jo e Partisë Socialiste, as e qeverisë dhe as e partive të tjera politike në tërësi, të cilat kanë kohë që kanë braktisur detyrën”, tha Elisa Spiropali zëdhënëse e Kryesisë së PS.
Pas më shumë se 10 orë në dhomën e këshillimit, Gjykata për Krime të Rënda dënoi me 5 vite burg ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, për “Shpërdorim detyre”, ndërsa rrëzoi 3 akuzat e ngritura nga Prokuroria. Dënimi me burg i Tahirit u pezullua dhe kaloi në shërbim prove për tri vite.
Ndërkohë, Prokuroria akuzonte Tahirin për “Trafikim të narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale” dhe “Grup i strukturuar kriminal”, por për Gjykatën këto akuza nuk faktohen me prova dhe për këtë është bërë ndryshimi i cilësimit të veprës penale, duke e gjetur fajtor për “Shpërdorim detyre”.
Fraksion.com