SHBA, polarizimi i politikës nënvizon ndarjet racore dhe etnike
Në Shtetet e Bashkuara, përçarjet politike në rritje sipas linjave etnike, së bashku me retorikën e ashpër të Presidentit Donald Trump, po përtërijnë debatin mbi atë se çfarë do të thotë të jesh amerikan. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Brian Padden, premisa e ëndrrës amerikane se të gjithë emigrantët mund të asimilohen
në shkrirje të larmishme kulturore është komplikuar sot nga çështje që kanë të bëjnë me besnikërinë ndaj vendit, si dhe nga probleme të ligjshmërisë apo racizmit.
Kritikët e Presidentit Trump thonë se retorika e tij ndaj myslimanëve dhe hispanikëve në Amerikë dhe politikat e tij kufizuese të imigracionit, janë duke dëmtuar grupe të tëra etnike duke i cilësuar ato si jo-amerikane për të fituar avantazh politik.
“Në fund, ne e dimë se njerëzit po përdorin racizmin si një mënyrë për të fituar fuqi dhe burime për të privilegjuar disa në kurrizin e të tjerëve”, thotë Andre Perry i Institutit Brookings.
Mbështetësit e presidentit argumentojnë se është legjitime të ngresh shqetësime në lidhje me emigrantët pa dokumente që nuk mësojnë anglisht, ose të kesh dyshime mbi besnikërinë e disa komuniteteve myslimano-amerikane, pasi një numër i Somalezo-Amerikanëve nga
Minesota janë bashkuar me kryengritjen e grupit islamik al-Shabab në Somali.
“Unë mendoj se njerëzit kanë shqetësime për emigrantët e paligjshëm, gjë që është e kuptueshme. Dhe njerëzit gjithashtu kanë disa shqetësime se institucionet tona të asimilimit nuk janë duke funksionuar ashtu si para një shekulli”, thotë Michael Barone nga Instituti i Sipërmarrjes Amerikane.
Retorika e Presidentit Trump, thonë kritikët, ka shkaktuar tensione etnike, duke iu referuar imigrantëve meksikanë pa dokumente si kriminelë dhe përdhunues… duke denoncuar lojtarët afrikano-amerikanë të futbollit që ulen në gjunjë gjatë himnit kombëtar si protestë ndaj brutalitetit të policisë.
Dhe duke vënë shenjën e barazimit mes besnikërisë ndaj vendit dhe mbështetjes për politikat e tij, Presidenti i ka quajtur dy ligjvënëse myslimane të Amerikës jo besnike, pasi mbështesin një lëvizje bojkoti kundër aleatit të Amerikës, Izraelit për pushtimin e territoreve palestineze.
“Nuk ke nevojë të mbështesësh një president për të qenë patriot dhe sigurisht që nuk ke nevojë të mbështesësh një president për të qenë amerikan. Kjo thjesht nuk është pjesë e kushteve”, thotë Andre Perry i Institutit Brookings.
Mbrojtësit e Presidentit Trump hedhin poshtë akuzat për racizëm, duke thënë se ai përdor gjuhë të drejtpërdrejt për të goditur kritikët dhe kundërshtarët politikë.
“Unë mendoj se Presidenti Trump i fyen të gjithë në mënyrë të barabartë. Kushdo që e zemëron ose e kritikon atë, bëhet objekt i fyerjeve pavarësisht nga raca, feja, ngjyra apo origjina e tyre etnike”, thotë Michael Barone i Institutit amerikan “Enterprise”.
Përçarjet në linja etnike dhe racore në Amerikë kanë filluar para se zoti Trump të bëhej President, por janë theksuar gjatë kohës së tij në Shtëpinë e Bardhë, një periudhë në të cilën Amerika po bëhet më e larmishme dhe politika e identitetit më e përhapur.
Fraksion.com