Rihapet Monumenti i Uashingtonit
Në kryeqytetin amerika, të enjten u rihap për publikun Monumenti kushtuar George Uashingtonit, i cili ishte mbyllur prej disa vitesh për shkak të punimeve për të zëvendësuar ashensorin dhe sistemin e sigurisë. Zonja e parë Melania Trump mori pjesë në ceremoninë e rihapjes.
Ky objekt emblemë në kryeqytetin amerikan ka qenë i mbyllur për publikun në pjesën më të madhe të 8 viteve të fundit, pas një tërmeti 5.8 ballësh në vitin 2011 që shkaktoi 150 çarje në gurët e monumentit.
Monumenti i Uashingtonit u hap për pak kohë në vitin 2016, por u mbyll përsëri për shkak të difekteve në ashensor.
Por të ejten ai u rihap për publikun.
“Ne rindërtuam plotësisht sistemin e ashensorit. Pra, instaluam kabllo të reja dhe riparuam motorin. Dhe pastaj ne gjithashtu shtuam masat e kontrollit të sigurisë”, thotë Jeffrey Reinbold, punonjës i mirëmbajtjes së Shëtitores Kombëtare dhe Parqeve Memoriale.
Zonja e parë Melania Trump bëri “udhëtimin e parë” ceremonial me disa studentë vendas.
Monumenti, i cili mban emrin e Presidentit të parë të Shteteve të Bashkuara, është një objekt i veçant në Uashington dhe një nga atraksionet më të njohura në Shëtitoren Kombëtare. Monumenti vizitohet nga mesatarisht rreth 500,000 vizitorë në vit. Disa nga këta vizitorë janë të gëzuar që tani mund të ngjiten në majë të monumentit për të shijuar një pamje spektakolare të qytetit.
Vizitorët kanë krijuar një radhë të gjatë që herët në mëngjes për të marrë biletat për të hyrë në monument.
Ky çift nga Shanghai që nuk flet anglisht, kërkoi bileta rezervë duke treguar një shenjë të shkruar me dorë, ku thuhej se paraardhësit e tyre dhuruan një nga pllakat përkujtimore të gurëve në monument.
“Ata ishin shumë këmbëngulës. Ata me të vërtetë donin të ngjiteshin atje dhe unë kisha dy bileta shtesë”, thotë Jill Chestnut, një turiste nga Teksasi.
Janë njëqind e nëntëdhjetë e tre pllaka përkujtimore të vendosura në muret e brendshme të monumentit.
Sipas Shërbimit të Parqeve Kombëtare, njëri prej tyre u dhurua nga Misioni Amerikan në Ningbo të Kinës, për të cilin çifti Zhang pretendon se ishin paraardhësit e tyre.
“Jemi shumë të lumtur”, tha zoti Zhang.
“Ne jemi shumë mirënjohës”, tha zonja Zhang.
“Të gjitha biletat ishin shitur dhe nesër do të kthehemi në Kinë”, tha zoti Zhang.
Ndërtimi i Monumentit filloi në vitin 1848, dhe u deshën gati 40 vjet për përfundimin e tij për shkak të Luftës Civile dhe mungesës së fondeve.
Këtë herë, riparimi i monumentit u financua jo vetëm me paratë e taksapaguesve, por edhe me miliona dollarë në donacione private./VOA
Fraksion.com