AktualitetBota+Të fundit

Ganë, përdorimi i dronëve në bujqësi

Fermerët e vegjël në Ganë po përdorin dronët për të vëzhguar të mbjellat, në përpjekje për të rritur rendimentin dhe të ardhurat. Kooperativat e fermerëve po përqafojnë teknologjinë si një hap drejt rritjes së efikasitetit. Megjithatë, disa mendojnë se teknologjia është

tepër e shtrenjtë dhe mund të dëmtojë fermerët e varfër. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Sarah Kimani sjell hollësi nga Akra.

Në sistemin e ujitjes së orizit në Kpong të Ganës, 28-vjeçari George Majitwey vëzhgon gjendjen ndërsa droni i tij bën fluturimin e parë të ditës për mbikëqyrjen e të mbjellave.

“Ky është një dron i posaçëm për bujqësinë. Ai përdoret për të parë nëse kulturat po dëmtohen nga insektet, sëmundjet, ose nëse ka probleme me sistemin e ujitjes.”

Zoti Majitwey ka lindur dhe është rritur në Shtetet e Bashkuara, por dashuria e tij për fshatrat afrikanë dhe dronët e solli këtu, ku ai tani po udhëheq revolucionin dixhital në bujqësinë afrikane.

“Ne zakonisht punojmë me kooperativat bujqësore që mund të kenë, le të themi 300 fermerë të vegjël që bashkëpunojnë me njëri-tjetrin. Dhe përmes kooperativave ata janë në gjendje të përdorin shërbimet tona.”

Kompania e tij sponsorizohet nga Qendra Teknike për Bashkëpunim Bujqësor dhe Rural me seli në Holandë, në një përpjekje për të tërhequr më shumë të rinj afrikanë në bujqësi.

Organizata holandeze përllogarit se përdorimi i teknologjisë moderne si dronët mund t’u sjellë fermerëve afrikanë 2.6 miliardë dollarë fitime shtesë çdo vit.

“Ne e filluam këtë teknologji të telekomanduar tre vjet më parë dhe tani kemi 41 organizata partnere, kryesisht ndërmarrje private, në 21

vende”, thotë Giacomo Rambaldi nga Qendra Teknike për Bashkëpunim Bujqësor dhe Rural.

Megjithatë, jo të gjithë fermerët mund të përballojnë koston e përdorimit të dronëve për të vëzhguar të mbjellat e tyre.

“Do të na ndihmojë shumë, por problemi është se nëse nuk fiton para, atëherë nuk mund t’i përdorësh. Për shërbimet e tyre duhet të paguash përpara se ata të vijnë në fermë”, thotë fermeri Kwana Owusu.

Në orizore ka mbaruar mbikqyrja dhe tani është koha për të spërkatur të mbjellat me pesticide me një dron tjetër. Brenda disa orësh e gjithë ara do të spërkatet.

Në të kaluarën, për të bërë këtë punë në një sipërfaqe 1 hektarëshe duheshin një fermer dhe të paktën pesë punëtorë për pesë ditë.

Dronët janë vetëm një nga përparimet teknologjike që po analizojnë delegatët në një takim të nivelit të lartë në Akra me shpresën se do të ndihmojë për të përmirësuar sigurinë ushqimore në Afrikë./voa

 

Fraksion.com