AktualitetBota+Të fundit

Dyshim për spiunazh tek Airbus

Hetuesit po hetojnë lidhur me dyshimet, se punonjës të Airbusit kanë pasuar dokumenta sekrete të Bundeswehr-it. Me këtë Airbusin e kërcënon një dëm i madh imazhi.

Eshtë deri më tani vetëm një dyshim. Por nëse kjo vërtetohet, ky do të ishte një rast spiunazhi i përmasave të mëdha. Bëhet fjalë për Bundeswehr-in (Ushtria e Gjermanisë) dhe koncernin ajror europian Airbus, që krahas avionëve civilë konstrukton edhe avionë ushtarakë. Punonjës të firmës, dyshohet, t’i kenë kaluar ilegalisht në dorëzim të tretëve dokumenta planifikimi për dy projekte armatimi të Bundeswehr-it. Me sa duket është fjala për një sistem të ri komunikacioni. Prokuroria bën fjalë për një tradhëti të mundshme të sekretit shtetëror apo sekrete ekonomike, por jo për sekret ushtarak. Si rrjedhojë rëndësia në aspektin e politikës së sigurimit duket të jetë e kufizuar.

Sipas të dhënave të Prokurorisë së Mynihut, vetë Airbus është aktivizuar dhe i ka vënë në dijeni autoritet e drejtësisë, sapo kanë lindur dyshimet për nxjerrje sekreti dhe për të cilat fillimisht vet sipërmarrja ndërmori hetime të brendshme. Edhe Ministria e Mbrojtjes është informuar.

Ndërkohë po hetohet ndaj 17 të dyshuarve dhe kundër personave të tjerë të panjohur. Hetimet ndërkohë vazhdojnë edhe brenda koncernit Airbus, një kancelari avokatie i mbështet hetimet e po ashtu po hetohet edhe në radhët e forcave të armatosura. Bundeswehr-i, sipas informacioneve të gazetës “Bild” dyshon tek një punonjës, ndaj të cilit janë marrë masat disiplinore.

Vetëm “shkalla  më e ulët e ruajtjes së sekretit”

Konkretisht bëhet fjalë për raste dyshimi sipas të dhënave të Prokurorisë për “nxjerrje sekreti të biznesit e sipërmarrjes”. Po ashtu prokuroria është e sigurtë, që sektori shtetëror, që mund të jetë spiunuar, është një autoritet nën kompetencat e Ministrisë së Mbrojtjes.

Deutschland Airbus A400M der Bundeswehr (picture-alliance/dpa/A.I. Bänsch)Avioni “Airbus A400M” i Bundeswehr-it gjerman

Por as në Prokurori dhe as në Bundeswehr deri tani duket se nuk e dinë për çfarë dokumentash bëhet fjalë. Tek Airbusi janë të sigurtë, që “kemi të bëjmë me dy projekte nga një sektor disi i vogël i biznesit dhe jo me projekte të mëdha si: avione ushtarakë, drone apo fluturime hapësinore”. Airbusi me këtë do të thotë, se dëmi nuk është shumë i madh. Një zëdhënëse e Prokurorisë së Mynihut tha, se “dokumentat kanë të bëjnë me shkallën më të ulët të sigurisë.”

Airbus rrezikon humbjen e besimit

Që disa punonjës të Airbusit mund të shohin dokumenta sekrete të mandatuesve shtetërorë nuk është gjë e pazakontë në koncern. Por kjo duhet të dokumentohet saktësisht. Në këtë rast duket se kjo gje nuk ka ndodhur, ndaj është ngjallur dyshimi brenda koncernit.

Airbus konstrukton p.sh. avionin e ri A400M të transportit për Bundeswehr-in dhe të tjera forca të armatosura.  Në rast se konfirmohet dyshimi ndaj punonjësve të Airbusit për nxjerrje të sekretit, kjo do të ishte një goditje e rëndë për koncernin e madh europian. Se çfarë pasojash mund të sjellë kjo për Airbus, e vuri në dukje zëdhënësi i politikës së mbrojtjes në grupin parlamentar të ekologjistëve Tobias Lindner: Në jetën normale të ekonomisë, tha politikani në intervistë për një gazetë, një ndërmarrje e tillë do të përjashtohej nga procesi i tenderimit të projekteve. Praktikisht të gjitha porositë janë voluminoze dhe prekin një sërë shtetesh. Nëse forcat e armatosura nuk kanë më besim tek ndërmarrja, ky do të ishte një dëm i madh ekonomik./DW

 

Fraksion.com