AktualitetTë fundit

Bien akuzat për trafik droge e grup kriminal: Gjykata dënon Tahirin vetëm për shpërdorim detyre; 3 vite në provë

Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi të dënojë mbrëmjen e së enjtes, me 5 vite burgim ish ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri. Duke qenë se ai kishte pranuar më parë gjykimin e shkurtuar, atëherë dënimi sipas vendimit, konvertohet në 3 vite e 4 muaj shërbim prove. Po ashtu zotit Tahiri i ndalohet të ushtrojë funksione publike po për të njejtën periudhë.

Bien të gjitha akuzat për trafik droge në bashkëpunim dhe grup të strukturuar kriminal mbi të cilat Prokuroria kërkoi që ish-ministri i Punëve të Brendshmë të dënohej me 12 vite heqje lirie; Saimir Tahiri nuk do të bëjë asnjë ditë burg! Pas dy vite hetime, nga nëntori i 2017-ës, Gjykata për Krime të Rënda rrëzon të gjitha akuzat e ngritura ndaj ish-ministrit të Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri dhe e dënon vetëm për shpërdorim detyre, një vendim prej të cilit, ai nuk do të bëjë asnjë ditë burg!

Pas një seance maratonë ditën e  enjte, të nisur prej orës 09:00 të mëngjesit, Gjykata e dënoi Tahirin me 5 vite burg për këtë akuzë të re që në gjuhën juridike quhet, kualifikim i veprës penale: Shpërdorim të detyrës. Por me gjykim të shkurtuar dënimi ulet në 3.4 vite burgim. Edhe këtë dënim, gjykata vendosi ta konvertojë në 3 vite shërbim prove, periudhë në të cilën ish-ministri nuk duhet të kryejë asnjë vepër penale. Po ashtu, për 5 vite, ish-ministri Tahiri nuk duhet të ushtrojë funksione publike.

Por teksa ish-ministri nuk do të bëjë asnjë ditë burg, ish-drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela u dënua nga gjykata e Krimeve të Rënda me 5 vite burg, që ulet në 3.4 vite burg për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim (që zbriste në 8 për shkak të gjykimit të shkurtuar), duke e akuzuar ish ministrin për tre vepra të rënda: “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formën e grupit të strukturuar kriminal, “ Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal. Por gjykata rrëzoi këto akuza, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se ato ishin të mjaftueshme për ta dënuar zotin Tahiri për shpërdorim detyre.

Në vendimin e arsyetuar të Gjykatës, në analizë të të gjitha provave të paraqitura nga Prokuroria, nuk rezulton asnjë fakt, që ta përfshijë ish-ministrin në trafikun e drogës dhe bashkëpunimin me grupin kriminal të Habilajve, kryetari i të cilëve është Mojsi Habilaj, i arrestuar dhe në gjykim në Itali. Po ashtu, thotë gjykata në arsyetimin e saj, pas përgjimeve edhe të prokurorisë italiane ku Habiljat diskutojnë për dhurata që do ja japin ministrit, çmohet fakti se nuk ka prova të mjaftueshme për t’i lidhur këto dhurata apo shuma monetare se do të shkonin tek Tahri.

Por përse u ngrit akuza e shpërdorimit të detyrës?

Edhe në këtë rast, Gjykata çmon se nuk ka prova – thuhet në vendimin e arsyetuar – por vetëm indicie se Saimir Tahiri ka njohje dhe bisedon me personat e përfshirë në këtë grup kriminal, Habilajt.

Po ashtu, sipas Gjykatës për Krime të Rënda, për një peshkarexhë “Fatima” të kapur në vitin 2015 në Itali, zyrtarë të lartë të shtetit dhe të policisë në vendin tonë, nuk kanë vepruar për ta parandaluar që nga Shqipëria trafikun e drogës, për shkak se lënda narkotike u kap në Itali. Guardia di Finanza në raportet e saj thoshte që vendi ka qenë i kanabizuar, dhe sipas vendimit të Gjykatës, zyrtarët apo ministri i Brendshëm në atë kohë Saimir Tahiri, nuk kanë ndërhyrë për parandalimin e trafikut. Një tjetër arsyetim që gjykata mbështeti, ishte edhe shitja e makinës tek kushërinjtë e tij, Artan Habilaj, vëllai i Mojsi Habilajt, pa hequr me letra pronësinë nga automjeti që shiti. “Si t’ia bëj për të gjithë kushërinjtë idiotë në fis duhet të mbaj përgjegjësi?!”, ishte pyetja që ngriti ish-ministri i Brendshëm pasi priti gjatë në gjykatë për të mësuar vendimin ndaj tij. Edhe për të, ky ishte procesi i shekullit, por që siç Tahiri tha, “u katandis kokoshi një thelë”.  Teksa paralajmëroi se do ta apelojë vendimin e Gjykatës, ish-ministri tha se kjo është vetëm maja e betejës. “As qesh dot as qaj dot. Mu duk një gjë e tipit, je i pafajshëm po s’kemi këllqe të ta themi. Unë dy vjet jam hetuar si trafikanti më i madh i Shqipërisë, ca t’ju them, jam hetuar si pjesë e një grupi kriminal që kam bërë trafik droge, sot gjykata më thotë nuk ke bërë trafik droge, por meqë kushërinjtë paskam përdorur emrin tim unë kam shpërdoruar detyrën. Beteja ime sapo ka filluar“, – ishin fjalet e tij te para.

Tre gjyqtarët Flora Hajredinaj,  Ardit Mustafaj dhe Irena Gjoka nga ora 11:30 kur u tërhoqën për vendim, deri në 21:30 të darkës qëndruan në Dhomën e Këshillimit dersa dolën me vendimin publik që në gjykatë e pritën edhe mbështetës të ish-ministrit të Punëve të brendshme, në një nga gjyqet më të bujshme.

Akuza e argumentuar nga prokuroria ishte për përfshirjen e ish-ministrit në 4 episode trafikimi droge nga 2013-2015, por pa dhënë detaje për rolin konkret të tij. Në këtë proces Tahiri ishte i pandehur me Jaleld Celën, ndërsa për Sokol Boden, ish-drejtor i postës në Dhërmi dhe Gjergji Kohilën, ish-shefi i Sektorit të Luftës Kundër Krimit të Organizuar në Vlorë, procesi është veçuar nga Krimet e Rënda.

Seanca gjyqësore u ndoq nga përfaqësues të ambasadës së SHBA në Tiranë./shqiptarja.com

 

Fraksion.com