AktualitetBota+Të fundit

Edhe iranianet në stadium

Gratë iraniane do të lejohen në stadiume për të parë ekipin kombëtar të futbollit, deklaroi sot ministri iranian i Sporteve, Masoud Soltanifar.

”Edhe pse fillimisht vetëm për ndeshjet ndërkombëtare, janë bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme që gratë të marrin pjesë në stadium”, tha Soltanifar.

Në stadiumin ”Azadi” në Teheran, ku Irani luan pjesën më të madhe të ndeshjeve dhe ku do të luhen kualifikuesit e Kupës së Botës muajin e ardhshëm, janë përgatitur hyrje, stenda dhe tualete të ndara për gratë.

”Gjithashtu do të ketë polici shtesë për të siguruar hyrjen dhe largimin e sigurt të grave nga stadiumi”, deklaroi Soltanifar.

Gratë në Iran janë ndaluar për dekada të ndjekin ndeshjet e futbollit.

Së fundmi, një grua vdiq në një protestë duke i vënë flakën vetes pasi iu dha dënim me burg në përpjekje për të parë një ndeshje.

Presidenti iranian, Hasan Rohani raportohet se është pro heqjes së këtij ndalimi, por nuk ka qenë në gjendje të mbizotërojë ndaj klerit të fuqishëm të Iranit, që beson se ambienti në stadium është i papërshtatshëm për gratë.