DW: Matthew Palmer, shkrimtari në Departamentin e Shtetit
Kush është Matthew Palmer, i ngakuari i posaçëm amerikan për Ballkanin? Nga ai pritet ndihmë në zgjidhjen e çështjeve shumë të ndërlikuara në këtë rajon.
Mbështetësit e Palmerit
Opinioni amerikan e njeh Matthew Palmerin në radhë të parë si shkrimtar. Edhe babai i tij Michael ka qenë autor i njohur me romanet e tij thriller nga bota e mjekësisë, të përkthyer në shumë gjuhë. Vëllai i tij Danieli ka shkruar libra me tematikë Science Fiction. Historia dhe tematika e komunikimit kanë qenë shpesh në rend dite në shtëpinë tonë, shkruante dikur Matt. Të tre Palmerët kanë shkruar apo shkruajnë ende. Babai i tij Michael, ka vdekur në vitin 2013, pa pasur ambicie të mëdha në tregun e librit. Librat e Matthew me tematikë krimet dhe diplomacia, janë lexuar me vëmendje në Departamentin e shtetit, në veçanti pjesët ku bëhet fjalë për rrezikimin e interesave amerikane.
Palmeri dallon nga Richard Holbrooku, i njohur si një diplomat i ashpër. Ai është miqësor, pak i tërhequr dhe me karakter ndryshe. Misioni i madh amerikan, i cili lulëzonte në kohën e presidentëve Bill Clinton dhe George W. Bush, është zbehur në kohën e Barack Obamës dhe është shuar në kohën e Donald Trumpit. Palmer është mbështetur dikur nga ministrja e Jashtme e Clintonit, Madeleine Albright. Palmer ka qenë këshilltar i Bushit dhe në pesë romanet e tij ka paraqitur mendimet e veta. Një nga romanet e tij mban titullin madje „Misioni amerikan”.
Njohja me rajonin
Palmeri e njeh këtë rajon më mirë se gati të gjithë bashkëvendasit e tij të tjerë. Beogradi ishte stacioni i parë i diplomatit të ri Palmer, në vitin 1993. Deri atëherë ai ishte i interesuar për Lindjen e Largët dhe Japoninë. Pas Afrikës, Azisë dhe Qipros, Palmer është rikthyer prapë në Ballkan, sikur edhe heroi i romantit të tij të tretë „Ujku nga Sarajeva”, ku ai përshkruan vuajtjet shpirtërore të një diplomati amerikan nga tmerret e para në Srebrenicë. Në Beograd ai është njohur edhe me gruan e tij, me të cilën pjesën më të madhe të pushimeve e kalon në bregdetin malazez. Ministri i Jashtëm serb Ivica Daçiq e ka përshëndetur emërimin e “dhëndrrit tonë”, si të ngarkuar të posaçëm për Ballkanin. Ai tha se nga Palmeri pret shumë, që shkaktoi qeshje në sallën e diplomatëve të mbledhur në Bled të Sllovenisë. Mbetet të shihet nëse njohja e rajonit do të jetë përparësi apo mangësi për Palmerin. Por mendimet në Beograd janë të ndara. “Dhëndrri” shihet si pjesë e një aleance të natyrshme. Por Palmeri shihet edhe si një person që është përzier në punët e brendshme të Serbisë dhe Kosovës, me rastin e krijimit të qeverisë, e thuhet madje se e ka mbështetur Partinë Përparimtare të Vuçiqit.
Politikën amerikane ndaj Ballkanit e kanë dominuar muajt e fundit presidenti Trump dhe ish-këshilltari për sigurinë, John Bolton. Trumpi e ka mbështetur në dy letra dërguar krerëve të Serbisë dhe Kosovës shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, që ka shkaktuar shqetësime të mëdha në Ballkan dhe Gjermani. Pas largimit të Boltonit, tani sytë janë drejtuar sërish nga Departamenti i Shtetit. Palmer ndryshe nga Boltoni nuk i përket grupit të ideologëve republikanë, të cilët hedhin poshtë konceptin multilateral dhe i besojnë shteteve nacionale. Por ende nuk është e qartë se si do të pozicionohet në çështjen e ndryshimit të vijës kufitare. „Në qendër të historisë qëndron gjithmonë një personalitet i fuqishëm”, shkruante dikur Palmer. Koncepti i tij i shkrimtarit i ngjan edhe konceptit politik. Në qendër qëndrojnë personat e fuqishëm, jo strukturat apo interesat e popullit, të pa artikualuara deri në fund. Të fuqishmit në pushtet në Beograd, Sarajevë, Banja Lukë, Podgoricë, Prishtinë dhe Tiranë me siguri që i gëzohen këtij koncepti.
Fraksion.com