Rivendoset drejtësia e munguar për një farmaci, Rama: Detyrën kam bërë
Kryeministri Edi Rama mori sot një tjetër mesazh mirënjohjeje nga qytetarët, për zgjidhjen e problemit dhe rivendosjen e drejtësisë në vend.
Në mesazhin drejtuar kryeministrit Rama, drejtuesit e një farmacie shprehin mirënjohjen ndaj autoriteteve shëndetësore për zgjidhjen e rastit të tyre ndërsa shprehen të gatshëm të kontribuojnë në përmirësimin e sektorit farmaceutik në Shqipëri.
“Përshëndetje z. Kryeministër! Ju kërkoj ndjesë për shqetësimin, por nuk mund të mos ju falënderoj për atë çfarë bëtë për ne. Me siguri nuk e mbani mend rastin tonë, por në vija të përgjithshme ishte rasti i një farmacie, që prej gati 1 viti endej sa andej këndej për të gjetur të drejtën. Falë interesimit tuaj, znj, Manastirliu dhe këmbënguljes së drejtoreshës së FSDKSH znj. Dëgjoni, drejtësia u rivendos. Më lejoni të shfrytëzoj këtë rast për t’ju uruar suksese në punën tuaj të palodhur dhe në çdo rast mbetemi në dispozicion të kontribuojmë në përmirësimin e sektorit farmaceutik në Shqipëri duke vënë në jetë sado të mundemi dijet dhe eksperiencën e fituar në Itali. Faleminderit”, thuhet në këtë mesazh.
Duke i uruar suksese e mbarësi, Kryeministri Edi Rama u shpreh: “detyrën kam bërë dhe më vjen mirë që është zgjidhur problemi”.
Fraksion.com