Ushtria amerikane në Gjermani; Shifra dhe fakte
Presidenti amerikan Trump kërcënon se do t’i tërheqë trupat amerikane nga Gjermania. Ai ngrihet kundër një tradite që ekziston prej më shumë se 70 vjetësh. Të dyja shtetet kanë kohë që kanë interesa të përbashkëta.
Për një kohë të gjatë Republika Federale e Gjermanisë ishte një shtet në vijën e parë të frontit. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, ajo kufizohej drejtpërdrejt me disa nga shtete komuniste, të sunduara nga ish-Bashkimi Sovjetik në Evropën Lindore. Pas humbjes së luftës nga “Rajhu i Tretë”, Gjermania u bë një pjesë e rëndësishme e strategjisë amerikane të mbrojtjes në Evropë. Në veçanti, gjatë pushtimit nga aleatët pas Luftës së Dytë Botërore, prej vitit 1945 deri në vitin 1955, në Gjermani u stacionuan rreth 400.000 ushtarë të huaj, gjysma e tyre amerikanë.
Prej atëherë numri i trupave ka rënë në mënyrë drastike, por ushtria amerikane vazhdon të jetë e pranishme me një numër të konsiderueshëm trupash në Gjermani, pavarësisht nga mosmarrëveshja aktuale për kostot e stacionimit në Gjermani. Ekziston gjithashtu një numër i madh bazash ushtarake amerikane.
Sot, rëndësia strategjike e Gjermanisë për SHBA pasqyrohet në selinë e “Komandës Evropiane të SHBA” (EUCOM), e vendosur në jugperëndim të Stuttgartit. Ajo është instanca qendrore e koordinimit për të gjitha forcat amerikane në 51 vende kryesisht evropiane.
Detyra e EUCOM-it është mbrojtja edhe ushtarakisht e Shteteve të Bashkuara. Kjo arrihet me anë të një veprimtarie me të cilën qendra e komandës parandalon konfliktet sa më shumë që të jetë e mundur, por në rast dyshimi vepron edhe si parandaluese. Ajo gjithashtu mbështet aleancën e përbashkët të mbrojtjes të NATO-s dhe kundërvepron ndaj kërcënimeve transnacionale. Nën komandën e EUCOM-it janë edhe US Army Europe (Ushtria Amerikane Evropë), US Air Forces (Forcat Ajrore të SHBA) në Evropë dhe US Marine Corps Forces Europe (Forcat Detare të SHBA në Evropë), të gjitha këto kanë degë në Gjermani.
Dimensionet e një dislokimi
Në tërësi, Gjermania strehon rreth 38.600 ushtarë, që është pjesa më e madhe e trupave amerikane në Evropë. Sidoqoftë, shifrat ndryshojnë, pasi trupat zhvendosen vazhdimisht në vende të tjera. Pas Japonisë, Gjermania është vendi ku janë vendosur kontingjentet më të mëdhenj të ushtrisë amerikane në të gjithë botën.
Por shifrat vitet e fundit kanë rënë. Sipas Qeverisë Federale, numri i trupave amerikane të stacionuara në Gjermani, midis viteve 2006 dhe 2018 më shumë se është përgjysmuar: nga 72.400 në 33.250. Shkaku i rënies është situata e ndryshuar e sigurisë globale, së cilës ushtria amerikane i është përgjigjur me zhvendosje trupash.
Marinsa, ushtarë dhe forca ajrore
Sipas shifrave të publikuara nga ushtria amerikane, pesë garnizonet aktualisht kanë rreth 29.000 ushtarë. Këtu përfshihet edhe “Korpusi Detar i Evropës dhe Afrikës” me qendër në Böblingen në jugperëndim të Gjermanisë.
Veç kësaj rreth 9600 ushtarakë të Forcave Ajrore të SHBA janë të stacionuar në vende të ndryshme në Gjermani, siç janë dy bazat e Forcave Ajrore të SHBA, Ramstein dhe Spangdahlem.
Ushtria amerikane në Gjermani: më shumë sesa thjesht trupa
Në objektet ushtarake amerikane janë të punësuar jo vetëm ushtarë, por edhe civilë amerikanë. Për më tepër, shumë ushtarakë sjellin edhe familjet e tyre jashtë shtetit. Në këtë mënyrë, rreth bazave të SHBA janë krijuar komunitete të mëdha civile. Disa prej tyre, siç është baza ajrore e Ramsteinit, janë bërë qytete të vogla. Në to bëjnë pjesë jo vetëm kazerma, aeroporte, terrene trajnimi dhe depo materialesh, por edhe qendra tregtare, shkolla, shërbime postare dhe polici. Dollari amerikan është monedha kryesore e ligjshme për pagesa.
Edhe baza më e madhe në botë e ushtrisë amerikane është gjithashtu në Gjermani, përkatësisht Bavaria-Garnison pranë Grafenwöhr, në kufi me Republikën Çeke. Me një sipërfaqe prej mbi 390 kilometra katrorë, ajo ua kalon të gjitha bazave të tjera të SHBA. Atje gjithashtu jetojnë më shumë njerëz që jetojnë në çdo institucion tjetër ushtarak amerikan, rreth 4000 ushtarë dhe të afërmit e tyre.
Në baza shpesh punojnë edhe shumë banorë vendas. Kështu, bazat janë gjeneruese stimujsh ekonomikë për komunat gjermane përreth, ndërmarrjet e të cilave ofrojnë mallra dhe shërbime. Kur u mbyllën disa baza, si garnizoni i ushtrisë në Bamberg në vitin 2014, kjo pati një pati pasoja të ndjeshme në ekonominë lokale. Edhe për këtë arsye, shumë gjermanë që punojnë pranë baza ushtarake amerikane shprehen kundër një pakësimi të mundshëm të trupave.
Kritika ndaj bazave
Por SHBA nuk i stacionojnë avionët e tyre vetëm në bazat e veta. Një numër i madh ndodhet edhe në bazat joamerikane të Forcave Ajrore në Gjermani. Përveç kësaj, në bazë të marrëveshjes bërthamore ushtarake të NATO-s, në bazën ajore gjermane në Buchel në Gjermaninë perëndimore janë stacionuar rreth 20 armë bërthamore – një fakt që shumë gjermanë e kritikojnë ashpër.
Po aq i diskutueshëm është edhe fakti që baza e Forcave Ajrore Ramstein përdoret si qendër kontrolli për sulmet me avionë në Jemen dhe në vende të tjera. Edhe kjo i zemëron shumë gjermanë.
Angazhimi financiar i Gjermanisë
Qeveria gjermane, në shtatë vitet e fundit ka vënë në dispozicion të trupave amerikane të stacionuar në vend rreth 243 milion euro si mbështetje. Kjo shumë përfshin pagesa pensioni për ish-punëtorët, si dhe shpenzime për mirëmbajtjen e ndërtesave dhe të tokave.
Për më tepër, qeveria gjermane vuri në dispozicion 480 milion euro të tjera për të mbuluar kostot e ndërtimit të lidhura me NATO-n në Gjermani. Ata shkuan “pothuajse plotësisht” në tokat e ushtrisë amerikane, siç doli në pah nga një përgjigje e Ministrisë së Financave ndaj një pyetjeje parlamentare të Partisë E Majta./DW
Fraksion.com