AktualitetBota+Të fundit

SHBA, mbi 50 mijë punëtorë fillojnë grevën

Anëtarët e sindikatës së Bashkuar të Punëtorëve të Industrisë së Automobilëve (UAW) filluan sot grevën ndaj kompanisë General Motors, ndërsa nuk u arrit marrëveshje për nënshkrimin e një kontrate të re kolektive.

Megjithëse pritej të rifillonin bisedimet, sot fabrikat që prodhojnë makina në nëntë shtete amerikane, me rreth 50 mijë punëtorë, do të qëndrojnë të mbyllura.

Zëvendës presidenti i sindikatës, Terry Dittes, tha se vendimi për të bërë grevë u mor si zgjidhja e fundit. Sindikata ka kërkuar rroga më të mira dhe mbulim më të mirë shëndetësor, si dhe siguri të vendeve të punës dhe shpërndarje të fitimeve.

Korporata General Motors thotë se ka ofruar rritje të rrogave, shpërndarjen e fitimeve, si dhe mbulim të mirë shëndetësor, së bashku me miliarda dollarë investime për fabrikat e prodhimit që do krijojnë më shumë vende pune.

Greva e fundit e kësaj sindikate ndaj kompanisë General Motors u bë në vitin 2007.

Janë shtyrë pa afat kontratat kolektive me kompanitë Ford dhe Fiat Chrysler, të cilave po u afronte afati i skadimit. Kontrata që do të arrihet me General Motors do të shërbejë si model edhe për negociatat me këto dy kompani.

 

Fraksion.com